Humolli për deklaratat e Klinakut: U keqinterpretua, po keqpërdoret për dëshira të caktuara

14:42 | 30 Gusht 2023
humolli-per-deklaratat-e-klinakut:-u-keqinterpretua,-po-keqperdoret-per-deshira-te-caktuara

“Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Kështu deklaroi Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, deklaratë e cila më pas nxiti reagime në vend.

Klinku sot është marrë në pyetje nga policia.

Mirëpo, bashkëluftëtari i tij, Fatmir Humolli po thotë se ajo që e ka thënë Klinaku u keqinterpretua dhe po përdorët për dëshirën e dikujt.

“Klinaku nuk e ka lëshuar vendin për kurrfarë presioni, kjo në kontekst më shumë po keqpërdoret për dëshirë të dikujt. Unë e pashë deklaratën e tij që askush nuk ka arsye me lëshu vendin, duhet me qëndru e me punu vet. Prokurori duhet me vlerësu, me arsyetu edhe në qoftë se e merr në pyetje. Drejtësia nëse e sheh që me të vërtetë iu ka kërcënuar Albin Kurtit, atëherë duhet me vendos gjykata për këtë punë”, tha ai për Front Online.

Deputeti, Fatmir Humolli thotë se Klinaku duhet të jetë i matur me fjalët ngase ka një pozitë të rëndësishme dhe mundësia për t’u keqinterpretuar fjalët është e madhe.

“Duke e pasë parasysh gatishmërinë për m’u keqpërdor si kryetar i veteranëve të luftës duhet me pasë parasysh që nuk është korrekte me folë për pa e vlerësuar situatën, duhet me qenë më i matur me fjalë, për arsye se gjithmonë po ka mundësi me u keqinterpretuar”, tha ai.

Humolli thotë se luftëtarët në vend po goditën qëllimisht.

“Tek ne është një logjikë me i godit luftëtarët që ka luftuar për vend të vet. Luftëtari nuk duhet me u keqinterpretu qëllimisht prej dikujt që nuk ka guxu me kap pushkën me luftu kundër Serbisë”, tha ai për Front Online.

Komento: