Hyjnë në fuqi masat e reja për targat

08:57 | 01 November 2022

Sot kanë hyrë në fuqi masat e reja për targat, të propozuara të premten nga Qeveria e Kosovës.

Bëhet fjalë për vendimin e ri të qeverisë, për shkallëzim të zbatimit të vendimit për targat e veturave të serbëve të Kosovës.

Sipas propozimit të kryeministrit Albin Kurti, sanksione do ketë për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe siç parashihet me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës.

Masat e reja për targat hyjnë në fuqi nga data 1 nëntor, kurse me qëndrimin e ri qeveritar, deri më datë 21 të këtij muaji do të vlejë vetëm masa e qortimit.

Policia e Kosovës tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet e saj në zbatim të vendimit qeveritar e cila ka të bëjë me masat e riregjistrimit të targave ilegale serbe “KM, etj” në RKS.

Në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme, për formën e fletëqortimit zyrtar “Qortim”, thuhet se vendimi i tillë do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar.
Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë sot thirrje qytetarëve që t’i regjistrojnë me targa RKS automjetet me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

MPB ritheksoi se pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targat e cekura më lartë.

Në njoftimin e bërë nga MPB, nga data 21 nëntor deri me datë 21 janar, për ato automjete do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.

“Duam të sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtetin tonë, rritjen e sigurisë në trafik dhe nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar”, thuhet mes tjerash në njoftimin e ministrisë.

“Kosova ka të drejtë që gradualisht të ndërrojë targat KM, por ky proces duhet të jetë brenda kornizës së dialogut”, ishte deklarata e sotme e zëdhënëses për politikë të jashtme të BE-së, Nabila Masrali.

Në një konferencë për media, ajo tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të punojë me palët për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen në fjalë.

BE dhe ShBA, nuk e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për mos shtyrjen edhe për një periudhë dhjetë muajshe çështjen e ndalimit të targave të lëshuara nga MPB-ja serbe.

Zëdhënësja në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi, javën e kaluar tha se janë 23 vetura të regjistruara në regjione të ndryshme, të cilat kanë konvertuar targat ilegale në targa të Republikës së Kosovës.

Komento: