Minatorët e Trepçës në grevë.
Minatorët e Trepçës nga sot kanë hyrë në grevë, duke filluar ndërrimi i parë, e më pas kjo do ta mbahet edhe nga ndërrimi i dytë dhe i tretë.
Njëri nga minatorët që ka kërkuar të mos i bëhet i ditur identiteti, për Klankosova.tv, ka theksuar se ka disa arsye pse kanë vendosur këtë formë të të protestuarit.
“Kemi pasë një marrëveshje me kuponë për ushqim ku kemi ngrënë, më pas e kanë sjell një letër ku për secilin punëtor do të vendoseshin para në xhirollogari dhe do ta blinim vetë shujtën ushqimore. Kjo është ndërprerë nga 31 dhjetori, ne po e paguajmë vetë ushqimin tonë që prej fillimit të këtij viti”, ka thënë minatori.
Ai ka shtuar se nga menaxhmeti i Trepçës kanë deklaruar se nga shkurti do të fillojë të implementohet marrëveshja që të hollat t’u vendosen në xhirollogari.
Për të njëjtën çështje për Klankosova ka folur edhe me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, i cili deklaroi se ata nuk kanë qenë të njoftuar se do të ketë grevë.
Lidhur me kërkesat e minatorëve, ai deklaroi se ata kërkojnë edhe rritje të pagave, pos çështjes së shujtave ushqimore.
“Kemi mbajt takime jemi në proces të mbajtjes së takimeve, jemi duke zhvilluar negociata, ju kam bërë thirrje minatorëve që të kthehen në punë dhe të negociojnë për këtë çështje”, ka thënë Jonuzi.