Hyseni thotë se Kurti dhe Osmani e po e shkatërrojnë Kosovën

15:45 | 29 October 2022

Skender Hyseni ka akuzuar Osmanin dhe Kurtin, se me politikat e tyre “të rrezikshme kanë nisur ta shkatërrojnë atë që Kosova e ka ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit”.

Përmes një postimi në Facebook, Hyseni tutje thotë se është koha që politika e tyre të kundërshtohet frontalisht.

“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste kanë nisur të shkatërrojnë çdo gjë që me aq mund është ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit në Kosovë. Me veprimet e tyre politike, sinonim i popullizmit ekstrem, ata po punojnë kundër interesave fundamentale të shtetit të Kosovës duke rrezikuar të ardhmën tonë kolektive! Është koha e fundit që këta të ashtuquajtur liderë dhe politika e tyre të kundërshtohen frontalisht. Paradoksalisht, rreziku më i madh Kosovës sot i vie nga këta liderë dhe aventurat e tyre fëminore politike”.

Më tej, Hyseni i ka quajtur Kurtin e Osmanin aventuristë egocentrik e narcisoid, të cilët sipas tij, duke bërë lojëra fëmijësh me targa, po e rrënojnë aleancën dhe partneritetin me vendet më demokatrike.

“Kosova është shtet, mbi të gjitha falë përkrahjes së pakursyer e vendimtare të botës dhe demokracive perendimore me në krye SHBA-të! Ndërkohë që sot Kosova udhëhiqet nga dy aventuristë egocentrik e narcisoid, të cilët duke bërë lojra fëmijsh me TARGA, po rrënojnë aleancën dhe partneritetin me vendet më demokratike, përkatësisht me përkrahësit strategjikë të Kosovës në botë. Status-quoja në raportet me Serbinë është armiku më i madh i Kosovës sot dhe nesër. Nuk guxojmë të lejojmë që shteti ynë të ekspozohet ndaj planeve dhe ndikimeve nga faktorët destabilizues që për qëllim kanë prishjen e rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë dhe Ballkan. Forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me SHBA-të dhe vendet tjera të Quintit duhet të rikthehet në binarë. Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jetë prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo qeverie të Kosovës. Prandaj, pa u vonuar, dialogu me Serbinë duhet të rikthehet në kornizën e duhur”.

Ai poashtu thotë se duhet pa vonesë të ndalen lojrat e targave dhe marrëveshja gjithpërfshirëse të vendoset si prioritet dhe urgjencë.

“Një marrëveshje e tillë, të gjitha këto çështjet periferike, si kjo puna e targave, i bënë lehtë të zbatueshme. Nuk mund të ketë progres as në rrugën e Kosovës për anëtarësim në NATO e as BE pa u arritur kjo Marrëveshje. Janë çështje drejtpërdrejtë të lidhura. Në këtë kontekst, duhet urgjentisht të rivendoset komunikimi dhe koordinim sistematik dhe harmonizimi i politikave me Administratën e Presidentit Biden duke respektuar rekomandimet. Në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris dhe Romë, Qeveria e re duhet të intensifikojnë praninë dhe përpjekjet për ruajtjen e partneritetit! Kurtit e Osmanit duhet t’u themi në unison: Këndelluni! Mos luani me fatin dhe të ardhmën e vendit tonë”, ka shkruar Hyseni

Komento: