I bëhet me dije edhe një herë serbëve: Policia e Kosovës mund të shkojë në veri pa lejen e KFOR-it

23:34 | 09 June 2019

Zëdhënësi i KFOR-it kolonel Vincenzo Grasso, deklaroi se KFOR-i nuk ishte i informuar për operacionin e fundit të Policisë së Kosovës në Kosovë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ky ishte një operacion policor, dhe në asnjë vend, policia nuk e informon publikun për operacionet e policisë, kështu që ne nuk ishim të informuar për këtë. Dhe asnjëherë nuk kemi thënë që ne jemi të informuar, as nuk kemi njoftuar asnjeri për këtë,” tha Grasso për “Slobodno srpski”.

Duke komentuar pretendimet e disa mediave, “se të gjithë ishin informuar paraprakisht për veprimin e policisë në veri të Kosovës”, Grasso tha se bëhet fjalë për keqinterpretim.

“Ajo që thashë dhe çka nxiti të gjithë diskutimin, në një intervistë me TV Prva, mëngjesin e ardhshëm, pas operacionit, ishte ‘se të gjithë ishin të informuar’. Kjo u përkthye dhe u interpretua sikur KFOR-i u informua nga dikush, por ajo që thashë ishte se “të gjithë ishin të informuar” në kuptimin që informacioni ishte i njohur, sepse e lexonim këtë lajm dhe më 17 maj kishte shumë lajme që po njoftonin këtë lloj operacioni, dhe për këtë arsye thashë se nuk kishte surpriza”, tha ai.

Arrestimet e të dyshuarve për krime më 28 maj në veri të Kosovës, Grasso i sheh si një operacion të ligjshëm të policisë kundër krimit.

“Ishte një operacion policor, i kryer ligjërisht nga policia në luftën kundër krimit. Njerëzit e zakonshëm mund të flenë në mënyrë paqësore. Ata nuk kanë pse të kenë frikë. Kriminelët duhet të brengosen për operacione të tilla. Natyrisht, njerëzit nuk duhet të reagojnë ose të pengojnë punën e policisë. Ata duhet të pajtohen me këtë dhe të bashkëpunojnë me policinë gjatë kryerjes së këtyre veprimeve. Ata duhet të shmangin ngritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e dhunës, pasi kjo mund të jetë e rrezikshme “, tha ai.

Duke komentuar për akuzat e shpeshta të disa politikanëve në Beograd se njësitë speciale të Policisë së Kosovës, me marrëveshje në NATO, nuk mund të shkojnë në veri pa lejen e KFOR-it dhe pëlqimin e komunitetit lokal, zëdhënësi Grasso tha se një marrëveshje e tillë nuk ekziston.

“Policia e Kosovës është një institucion që mund të lëvizë dhe të kryejë veprime lidhur me sundimin e ligjit kudo në Kosovë, pa detyrimin për të kërkuar leje. Ajo që kemi diskutuar më herët është një marrëveshje mes kryeministrit të atëhershëm Thaçi dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, se Forca e Sigurisë së Kosovës duhet së pari të marrë një leje të KFOR-it dhe të njoftojë autoritetet lokale para se të vendoset në veri. Por kjo nuk ndodhi kurrë. FSK nuk ka qenë kurrë e angazhuar në veri dhe atë që shohim kohët e fundit, dhe ajo që pamë kohët e fundit, në fund të vitit të kaluar, janë njësitë speciale të Policisë së Kosovës që kryejnë operacione policore dhe në veri, absolutisht në përputhje me rregullat “, tha Vincenzo Grasso.

Komento: