
Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit N.Z., i dyshuar për vrasjen e rëndë në Gjakovë.
I dyshuari akuzohet për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit N.Z.”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 16 mars rreth orës 05:20, në një lokal në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, pas një mosmarrëveshjeje mes palëve.
“I pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Shtiu disa herë në drejtim të viktimës, kërkohet paraburgim për të dyshuarin për vrasjen në Gjakovë
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, viktima ka ndërruar jetë në afërsi të vendit të ngjarjes, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.
“Si pasojë e të shtënave, i dëmtuari E.M. pëson lëndime trupore dhe dërgohet për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet më tej.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
“Janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, thuhet në vendim.
Me këtë vendim, i pandehuri do të qëndrojë në paraburgim për një muaj, nga data 16 mars deri më 16 prill 2026.