Sokol Bashota, ish-kryetar i Klinës, është bërë zyrtarisht pjesë e Kryesisë së re të PDK-së.
Bashota, që dikur ishte pjesë e rëndësishme e PDK-së e kryetar për disa mandate i komunës së Klinës, është i dënuar nga Gjykata themelore në Pejë (dega në Klinë) për mos deklarim të pasurisë.
Bashota u dënua me burgim me kusht nga 6 muaj në afat verifikimi prej 1 viti, si dhe me nga 1,200 euro gjobë.
Sipas aktakuzës, Sokol Bashota akuzohet se nuk i ka deklaruar fare veturën “BMË X5”, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metrash katrorë në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.
Bashota po ashtu akuzohet se nuk i ka deklaruar as veturën “Jeep” dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro në muaj nga qiraja e banesës.
Megjithatë, Bashota nga sot do të jetë pjesë e kryesisë së PDK-së, të cilën parti e udhëheq Memli Krasniqi, që u zgjodh kryetar në korrik të këtij viti.
Kujtojmë që Bashota ditë më parë u nominua nga PDK si kandidat për Klinë në zgjedhjet lokale që mbahen në tetor të këtij viti.
Nënkryetarë të PDK-së janë: Vlora Citaku, Ramë Buja, Enver Hoxhaj dhe Uran Ismaili.
Anëtarë janë: Bernard Nikaj, Donika Shahini, Jakup Nura, Bekim Çollaku, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaci-Dragusha, Sokol Bashota, Besa Kabashi Ramaj, Adri Nurellari, Rashit Qalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj-Gutaj, Blerand Stavileci, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtimi Gashi, Safete Hadergjonaj, Donjet Bislimi.