Më pak se një ditë pas djegies së veturës së një polici në Leposaviq, mbrëmë në të njëjtin vend është djegur edhe një veturë tjetër.
Vetura e tipit Volkswagen ishte me targa të Kosovës. Siç raporton Kossev nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, kjo veturë në pronësi të një serbi që gjatë ditës së djeshme ishte regjistruar me targat RKS, transmeton Reporteri.
Sipas informacioneve paraprake, makinës i është vënë flaka qëllimisht.
Gjatë ditës së djeshme u raportua se një pjesëtari serb të policisë kufitare i është djegur vetura në fshatin Kajkovë, afër Leposaviqit.
Polici i njëjtë ishte sulmuar fizikisht edhe një javë më parë në një aheng dhe djegia e veturës së tij u raportua mund të ketë lidhje edhe me atë rast.
Sipas Ministrisë së Brendshme deri më tani janë gjithsej 20 qytetarë serbë të Kosovës që i kanë pranuar targat e Republikës së Kosovës, duke i hequr ato ilegale.