I emëruari në krye të Bordit të Ujësjellësit: Mu nuk më ka bë privilegj ky emërim

18:16 | 03 Prill 2020

I emëruari në krye të Bordit të Ujësjellësit: Mu nuk më ka bë privilegj ky emërim, isha edhe para 7 vjetësh nëpër borde.

Mentor Hyseni dje nuk u gëzuar fort. Të paktën siç thotë ai. Një detyrë të re e mori nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti. E ka emëruar Mentor Hysenin në krye të Bordit të Ujësjellësit “Prishtina”.

Hyseni që tash e një kohë është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se këtë pozitë nuk e sheh si privilegj.

“Mu nuk më ka bë privilegj ky emërim, pasi edhe para shtatë vjetësh kur kam qenë shumë më i papjekur profesionalisht unë kam qenë pjesë e bordeve”, ka thënë Hyseni për Insajderin.

Kryesuesi i Bordit të Ujësjellësit tregon edhe një arsye pse Kurti mund t’i ketë emëruar njerëzit e tij nëpër borde.

“Në gjendjen emergjente që jemi, mendoj qe Qeveria ka bë përzgjedhjen e njerëzve profesionistë nëpër bordet e përkohshme – kjo vetëm për ta bërë një studim të gjendjes dhe për ta përgatitur ndërmarrjen për bordin e ardhshëm”.

“Meqë jemi në këtë situatë janë përzgjedh njerëzit që CV e tyre kanë qenë më të njohura edhe më herët. Por nuk janë të gjithë të emëruarit politikë, pasi që mesa i pash unë anëtarët të tjerë, nuk janë pjesë e asnjë partie dhe kjo tregon se janë profesionistë”.

I njëjti e arsyeton në një formë vendimin e Kurtit për të emëruarit partiakë.

“Ne kemi shumë argument se në bordet e kaluara janë emëruar militantë që nuk i kanë plotësuar kushtet, dhe që përkundër se kanë qenë në fund të listës, dhe që pro tyre nuk ka qenë as Ambasada Britanike, të njëjtit janë emëruar. Qeveria e re në borde ka emëruar njerëz profesionistë dhe që CV-të e tyre i ka konsultuar më herët”.

Hyseni madje ka treguar se emërimi i tij nuk është as në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Komento: