I ftuari nga Gjykata Speciale, befason me deklaratën e tij

23:53 | 06 January 2019

Gjykata Speciale, shumë shpejtë do të fillojë me intervistimet.

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabahajdin Cena, i cili është ftuar nga Gjykata Speciale ka thënë se nuk është në dijeni nëse do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit apo të të dyshuarit nga prokurorët e Specializuar.

Cena, i cili do të intervistohet më 14 janar të këtij viti, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës ka deklaruar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

“Luftë të pastër nuk ka. Çdo luftë ka të këqijat e veta. Mirëpo ne kemi zhvilluar një luftë të drejtë”, ka thënë Sabahajdin Cena.

Por edhe Cena si shumë të tjerë që janë ftuar nga kjo gjykatë nuk është në dijeni nëse do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit apo të të dyshuarit.

Vetë Cena ka konfirmuar ftesën nga Gjykata Speciale,

Përmes një statusi të publikuar në Facebook, Cena kishte konfirmuar pranimin e kësaj ftese, UÇduke thënë se do të intervistohet lidhur me aktivitetet e tij gjatë kohës sa ka qenë i angazhuar në UÇK.

“E ndiej për obligim qytetar që t’iu informoj se unë kam pranuar ftesë që më datë 14 janar 2019 të paraqitem pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për t’u intervistuar lidhur me aktivitetin dhe angazhimin tim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë periudhës së luftës kam qenë pjesë aktive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Publike Civile të Zonës Operative të Pashtrikut”, kishte shkruar ai.

Tutje, Sabahajdin Cena kishte njoftuar se do t’i përgjigjej kësaj ftese.

“Ne besojmë në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare dhe vlerat e saja nuk mund të kontestohen nga askush, nuk kemi asnjë arsye që t’i shmangemi organeve të drejtësisë dhe do të jemi në dispozicion të çfarëdo thirrje për të zbardhur të vërtetën”, thuhej në njoftimin e ish-luftëtarit të UÇK-së.

Komento: