I kërkoi 450 euro për blerjen e peletit një gruaje duke u shtirur si polic, arrestohet i dyshuari në Fushë Kosovë

09:34 | 17 Tetor 2026

Një person është arrestuar në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se duke u prezantuar rrejshëm si toger i policisë, i ka marrë 450 euro një gruaje, kinse për blerjen e peletit.

Sipas Policisë, i dyshuari po ashtu dyshohet se kishte keqpërdorur një veturë të marrë me qira në Gjilan, të cilën nuk ia kishte kthyer pronarit. Pas arrestimit, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Njoftimi i policisë:

Rr. Dardania, Fushë Kosovë 15.10.2026-15:55. Me 16.10.2026 viktima femër kosovare, ka raportuar se, i dyshuari mashkull kosovar, përmes telefonit duke u prezantuar si zyrtar-toger i policisë ka kërkuar nga viktima që t’i japë një personi tjetër një shumë parash prej 450€ sipas tij për blerje të peletit. Viktima duke rënë në lajthitje i ka dhënë këtë shumë parash të dyshuarit, i cili pastaj ishte larguar në drejtim të panjohur me veturën të cilën e kishte marrë me qira ditë më parë në Gjilan nga ankuesi mashkull kosovar dhe nuk ia kishte kthyer veturën ankuesit. Njësitet policore e kanë identifikuar, ndaluar dhe arrestuar të dyshuarin bashkë me veturën të cilën ishte duke e keqpërdorur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Komento: