I kërkuan dorëheqje Gërvallës për Specialen, Guxo reagon: Drejtësi po, manipulim politik jo

22:00 | 19 Shtator 2026

Partia GUXO ka reaguar lidhur me protestat dhe debatet publike pas vendimeve të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke thënë se shqetësimi i qytetarëve është legjitim, por se kjo situatë nuk duhet të shfrytëzohet për linçime politike.

Në një komunikatë për media, GUXO ka theksuar se protesta është e drejtë themelore demokratike dhe se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet.

“Shqetësimi i qytetarëve për dënimet e fundit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, është i arsyeshëm dhe tërësisht legjitim. Protesta është një e drejtë themelore demokratike dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet me respektin më të madh”, thuhet në komunikatë.

Megjithatë, sipas GUXO-s, vendimet e gjykatës nuk mund të ndryshohen përmes presionit apo përplasjeve politike, por përmes rrugëve juridike.

“Dënimet drakonike që nxitën këtë reagim të madh popullor nuk mund të ndreqen përmes linçimeve politike e publike, por vetëm përmes një beteje të pastër juridike. Gjykata e Apelit, si nivel i dytë, mbetet rruga e vetme e duhur për adresimin institucional të këtij problemi”, thuhet më tej.

Përgjegjësia për vendimin e Hagës, deputeti i LVV: Le të nisim me ata që votuan themelimin e Speciales

Partia ka deklaruar se, pavarësisht vendimeve gjyqësore, lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi mbetet, sipas saj, “e drejtë dhe e shenjtë”.

GUXO ka ngritur gjithashtu pyetjen se pse përgjegjësia politike për themelimin e Dhomave të Specializuara nuk kërkohet nga ata që, sipas partisë, e votuan, e negociuan dhe e mbështetën atë.

Në komunikatë, partia ka kundërshtuar veçanërisht kritikat ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se po tentohet të paraqitet ajo si përgjegjëse për situatën e krijuar pas vendimeve të Hagës.

“Është e papranueshme që, në vend të një analize mbi bazën e fakteve dhe veprimeve konkrete se pse erdhi situata deri këtu, po tentohet të linçohet politikisht Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja Donika Gërvalla si një ‘fajtore’ për këtë”, thuhet në komunikatë.

GUXO ka ngritur edhe shqetësime për, siç e quan, “ringjalljen e fantazmave të listave për likuidime” nga fundi i viteve ’90, duke i lidhur këto me gjuhën dhe fushatat publike ndaj Gërvallës.

Partia ka shtruar pyetjen nëse zhvillimet e fundit dëshmojnë se në Kosovë ende nuk mund të zhvillohen procese gjyqësore të pavarura pa presione politike dhe ndërhyrje të jashtme, si dhe çfarë mesazhi u përcillet institucioneve ndërkombëtare nga protestat kundër institucioneve të drejtësisë.

Në fund, GUXO ka thënë se drejtësia nuk duhet të përdoret si instrument i luftës së brendshme politike.

“Shqetësim qytetar, po. Protestë, po. Llogaridhënie, po. Linçim politik, në asnjë mënyrë”, përfundon komunikata e partisë.

Komento: