Ai në emisionin “Five” të RTV Dukagjinit tregoi se 11 anëtarë të familjes së ngushtë ia kanë vrarë forcat serbe.
“Të familjes së ngushtë, 11 anëtarë të familjes i kam të vrarë. Kurse kushërinj e komshinj ka pasur edhe më shumë. Në fshatin Shtuticë janë të vrarë 76 persona. I kam disa shënime që i kam nxjerr. Gjatë asaj ofensive, numri i të vrarëve është 400. Prej tyre në Shtuticë kanë qenë 10 dëshmorë, 11 fëmijë, 6 të moshuar, pesë femra, pesë të plagosur, dy të zhdukur ende, 12 të burgosur”, tha ai.
“Bedri Ademi ngritet deri në gjunj, sepse ishte i plagosur. Thotë unë jam i plagosur nuk mundem të ngritem. E kthejnë automatikun dhe e gjuajnë me plumba. Gjithë kufomave edhe një herë i kanë dhënë plumba. Pasi e kryjtën [ushtria serbe] punën me kufoma, na qesin rrugës përpjetë në pyll. Na dërgojnë deri te një oficer, ai ishte pranë një kufome që e njofsha… Si duket veç sa e kishin vrarë. Së pari na plaçkitën, letërnjoftimet na hodhën. Aty na mbajtën disa çaste me duar të lidhura ishim. Na rrahën, duke sharë udhëheqësit tanë, Rugovën e Thaçin”, vijoi ai.
Billali u shpreh se Serbia kishte marrë ofensivë si shenjë hakmarrje për bombardimet e NATO-së në Serbi.
“Më 30 prill gjatë ofensivës që ishte më e forta në territorin tonë në Drenicë. Vetëm në vitin 1999 kanë qenë gjashtë ofensiva, por kjo ishte më e tmerrshmja. Numri i popullatës nga fshatrat përreth kishin gjetur strehim në fshatin Shtuticë dhe në Vërbovc. Armiku përgatiti gjithçka për hakmarrje nga bombardimet e NATO-së”, tha ai. /Dukagjini