Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet.
Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali.
Një numër i madh i këtyre rasteve përcillen edhe me sulme e dhunë. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në Prishtinë, ku viktimë është një vajzë e re.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se 19-vjeçarja derisa po ecte rrugës u përball me një person të mitur i cili tentoi t’ia marrë çantën e krahut. Për fatin e saj të mirë, aty ndodheshin disa qytetarë të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë arritur që të pasivizojnë të miturin, të cilin e kanë mbajtur aty derisa ka arritur Policia në vendngjarje.
16-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Vjedhje grabitqare’ dhe i njëjti do të hetohet në liri.