Dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të kthehet në pikën zero.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po kërkojnë që faza finale e dialogut të fillojë prej pikës “zero”, bashkë me këtë të shkohet në zgjedhje të reja për të krijuar institucione tjera me legjitimitet politik.
Mirëpo një gjë të tillë nuk do ta mundësojë ekipi negociator, ata e kanë ftuar opozitën që të bëhet pjesë e ekipit për ta vazhduar dialogun prej ku ka mbetur. shkruan Gazeta “Zëri”.
Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, po vazhdojnë të mos pajtohen me Ligjin për Dialogun me Serbinë, që u votua në Kuvend një muaj më parë. Madje këto dy parti këtë ligj e kanë dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese, nga e cila po presin ta shpallë si jolegjitim e kundërkushtetues.
LDK-ja dhe LVV-ja po kërkojnë kthimin e fazës finale të dialogut në pikën zero dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat do të rilegjitimonin institucione të reja politike e qeverisëse.
Në një tryezë të përbashkët të LDK-së dhe LVV-së, të mbajtur dje për “Kushtetutshmërinë dhe përgjegjësitë institucionale në procesin e dialogut me Serbinë”, morën pjesë edhe shumë analistë e pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët u pajtuan me “jokushtetutshmërinë” e Ligjit të Dialogut, por jo plotësisht edhe me idenë e kthimit të dialogut në pikë zero dhe shkuarjen në zgjedhje të reja. Megjithatë për anëtarët e delegacionit shtetëror dialogu nuk duhet të kthehet në pikën zero, por duhet unitet politik për ta çuar dialogun në pikën ku synon Kosova.