Shtrenjtimi i rrymës i papërballueshëm për qytetarët, propozohet aplikimi i bllok-tarifave.
Shtrenjtim të energjisë elektrike prej 30 deri në 40 për qind ka kërkuar KEDS nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, por janë qytetarët ata që thonë se një rritje e tillë e faturave do të ishte e papërballueshme për standardin e tyre të jetesës.
Ndërkohë nga shoqëria civile propozojnë që të shkohet me aplikimin e bllok-tarifave, gjë e cila do të ndikonte në kursim më të madh të energjisë elektrike.
Zyrtari për komunikim në KEDS, Adlum Ramadani, thotë se kërkesa e tyre drejtuar ZRRE-së ka ardhur si pasojë e ngritjes së çmimit të importit.
“Ne kemi bërë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm, sa i përket çështjes së çmimit, kjo është e drejtë ekskluzive që i takon organit vendimmarrës që në këtë rast është ZRRE. Ne si KEDS dhe KESCO nuk mund të komentojmë sa do të jetë rritja, por sa i përket kërkesës të cilën ne e kemi paraqitur, është diku rreth 30-40 për qind kërkesë për ngritje të çmimit, mirëpo sigurisht që vendimin final apo fjalën e fundit do ta thotë ZRRE”, thotë ai.
Ai thotë se aktualisht konsumatorët janë duke pasur furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe se nuk janë duke u aplikuar reduktime, megjithatë, thotë se ditëve të fundit është rritur konsumi i energjisë edhe për shkak të uljes së temperaturave.
“Me uljen e temperaturave rritet edhe konsumi nga ana e konsumatorëve tanë, në veçanti nga ata të cilët e shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje, pra që është një numër i konsiderueshëm i tyre dhe sigurisht që pastaj kjo reflekton drejtpërdrejtë edhe në mbarëvajtjen e sistemit elektroenergjetik në vend. Mirëpo ne deri më tash kemi mundësuar që ky furnizim të jetë stabil dhe sigurisht që me përmirësimin e temperaturave presim që një gjë e tillë të vazhdojë edhe më tutje. Para disa ditëve ne e kemi thyer rekordin e konsumit i cili ka arritur (në kohë piku) deri në 1 mijë e 250 megavat dhe sigurisht që një gjë e tillë ka ardhur si rezultat i konsumit të lartë. Sa i përket çështjes në fjalë, aktualisht importi është duke u mbuluar nga KEK-u, si dhe nga KEDS dhe KESCO, pra është duke u mbuluar konsumi i konsumatorëve tanë, mirëpo do të presim të shohim si do të vijojë kjo situatë, meqenëse siç e potencova më herët jemi në një situatë krize energjetike”, thotë ai.
Rinora Gojani nga Balkan Green Foundation, thotë për KosovaPress, se rritje të çmimit të energjisë elektrike do të ketë për shkak të rritjes së çmimit të importit, por që potencon se do të kishte qenë më mirë nëse shkohet me aplikimin e bllok-tarifave.
“Në këtë rast ZRRE, përveç që shqyrton çmimin e energjisë, ta rishqyrtojë gjithashtu edhe futjen prapë në sistem të bllok-tarifave, në mënyrë që qytetarët të cilët konsumojnë më pak, të paguajnë më pak, ndërsa ata të cilët nuk kursejnë energjinë, t’iu faturohet energjia më shtrenjtë. Bllok-tarifa ka rezultuar të jetë një mekanizëm i mirë edhe në bazë të analizave që i kemi bërë ne si shoqëri civile, duke i pa se sa ka ndikuar në rritjen e konsumit të energjisë për familje. Në fakt ky ka qenë një ndër mekanizmat që diku 81 për qind e qytetarëve janë sjellë më ndryshe në kohën kur bllok-tarifat kanë qenë. Ne kemi bërë thirrje dhe mendojmë që menaxhmenti i ZRRE-së, ka një qasje më të pranueshme ndaj këtij propozimi, kështu që ne nuk do të ndalemi së avokuari për këto ndryshime dhe shpresoj shumë që do të hasin në vesh që dëgjon dhe vepron”, thotë ajo.
Në anën tjetër, janë qytetarët ata që thonë se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të jetë e papërballueshme për ata, duke përmendur edhe faktin se edhe produktet ushqimore janë shtrenjtuar kohët e fundit.
Osman Daku thotë se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të rëndojë gjendjen ekonomike të qytetarëve, edhe ashtu të rënduar.
“Çdo artikulli që i rritet çmimi duhet me pas një analizë paraprake në bazë të çka vjen deri te rritja e saj, si rritet çmimi i atij artikulli në këtë rast që po flasim për rrymën duhet me pas një analizë paraprake për çka po rritet. Mandej duke e pasur parasysh edhe të ardhurat që kanë qytetarët, sa të ardhura kanë, sa është buxheti, sa është mundësia e tyre që ta përballojnë atë ngritje të atij çmimi. Aq sa rritet çmimi, aq bie standardi”, thotë ai.
Edhe qytetarja Pranvera Rufati, thekson se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë negativisht në standardin e jetës së qytetarëve.
“Dihet çfarë standardi ka popullata jonë sidomos pensionistët, ndihma sociale, ajo ka me ndiku shumë negativisht, shumë negativisht do të ndikojë në standardin e popullsisë”, tha ajo.
Qytetari tjetër, Enver Hoti thotë se institucionet nuk po e kanë parasysh standardin në të cilin jetojnë qytetarët e Kosovës me lejimin e shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike.
“Standardi është tepër i ulët dhe çfarëdo rritje minimale me qenë standardin e popullatës e qet në dy gjunjët”, thotë ai.
Ndërkohë, shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe rikthimi i bllok-tarifave janë vetëm disa kërkesa që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) është duke i shqyrtuar për strukturën e re tarifore.
Të dhënat e detajuara rreth kësaj strukture, ZRRE paralajmëron se do t’i bëjë publike në fillim të muajit shkurt.