I porsakthyer nga lëndimi, Pogba rrezikon të mungojë sërish për disa javë

21:06 | 13 March 2023

Paul Pogba mungoi në fitoren e Juventusit ndaj Sampdorias për shkak të lëndimit dhe tash ekziston frika për mungesë afatgjate për disa javë.

Rikthimi i 29-vjeçarit në Torino nuk ka shkuar aspak sipas planit, pasi ka munguar në 34 nga 37 ndeshjet e zhvilluara të Bianconerëve në të gjitha garat këtë sezon.

Një lëndim serioz i gjurit dhe ndërhyrja rezultuese kirurgjike bënë që francezi të mos luante në gjashtë muajt e kaluar dhe durimi ka nisur të venitet te Zonja e Vjetër.

Sjellja e mesfushorit jashtë fushe i ka hidhëruar akoma më shumë tifozët e Juves, pasi ai kishte skijuar gjatë pushimit dimëror, ashtu që mbështetësit e klubit besojnë se lojtari nuk po i merr gjërat seriozisht.

Mungesa e Pogbas ndaj Sampdorias – sipas La Gazzetta dello Sport – ishte për shkak të një problemi muskulor dhe tash ekziston frika për një tendosje të muskulit aduktor, gjë që do ta linte jashtë fushe për afro një muaj.

Juventusi tashmë është duke i shqyrtuar opsionet që ta nxjerrë në shitje në afatin e ardhshëm kalimtar.

Pogba ka kontratë me bardhezinjtë deri në qershor 2026 dhe përfiton rreth 10 milionë euro neto (tetë milionë euro pagë fikse dhe dy milionë të tjera në formë shtesash).

Komento: