Punësoi katër anëtarë të familjes në Telekom, Osman Ejupi jep dorëheqje nga Bordi i Drejtorëve.
Qershori i vitit të kaluar ka rezultuar të jetë muaji fatlum për familjen e Osman Ejupit. Brenda pak ditësh, të gjithë fëmijët e tij arritën të punësohen në njërën nga ndërmarrjet publike të Kosovës, ku babai i tyre është hiç më pak se njëri nga drejtorët e Bordit të Telekomit. Por, Ejupi, i cili javën e kaluar ishte temë diskutimi, sot ka ofruar dorëheqjen e parevokueshme nga kjo pozitë.
Ai në letrën e largimit ka thënë se në cilësinë e anëtarit të Bordit nuk ka pasur asnjë kompetencë dhe asnjë ndikim në punësim dhe së dyti së punësimi i njerëzve të afërt sipas tij është bërë sipas procedurave të Telekomit të Kosovës.
“Përmes kësaj letre ofroj dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm nga pozita e anëtarit të Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, Sh.A. Ka qenë përgjegjësi e lartë dhe privilegj të ushtroj funksionet e Anëtarit të Borit të Drejtorëve nga prilli 2018 dhe edhe njëherë u ri-siguroj se funksionin tim si anëtar i Bordit e kam ushtruar me përgjegjësi, profesionalizëm dhe në secilin rast për interesin më të mirë të Telekomit të Kosovës. Sikurse është e dokumentuar në të gjitha minutat e takimeve të Bordit të Drejtoreve dhe Vendimet e marra, duke përfshirë edhe rastet shumë të ndjeshme të trashëguara në Telekomin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e dorëheqjes.
E qershori i vitit të kaluar ka rezultuar të jetë muaji fatlum për familjen e Osman Ejupit. Brenda pak ditësh, të gjithë fëmijët e tij arritën të punësohen në njërën nga ndërmarrjet publike të Kosovës, ku babai i tyre është hiç më pak se njëri nga drejtorët e Bordit të Telekomit.
Osman Ejupi u përzgjodh të jetë anëtar i Bordit të Telekomit më 29 mars të 2018-s, në një bord që u cilësua politik. Pak muaj më vonë, të katër fëmijët e tij iu bashkuan Telekomit.
E para që u punësua ishte Artina Ejupi-Tolaj, e cila mori kontratën më 18 qershor të 2018-s. Një javë me vonë, në Telekom, Artinës iu bashkuan edhe motra dhe vëllezërit e saj.
Më 25 qershor, kontratat i morën edhe Arxhina Ejupi-Islami, Ardian e Armend Ejupi. Që të gjithë janë të punësuar si agjentë të shitjes, rroga e të cilëve sillet rreth 800 euro.
Kohavisioni ka provuar të vë kontakt edhe me Osman Ejupin, për ta pyetur rreth punësimeve apo nëse ka përdorur autoritetin e tij për t’i punësuar fëmijët. “ Ju lutem, më kontaktoni pas gjysmë ore, sepse jam duke vozitur”, ka thënë ai.
Emri i Osman Ejupit figuron në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve. Pak ditë para së të emërohej anëtar i Bordit të Telekomit, më 14 mars të 2018-s, kishte hapur një institucion parashkollor dhe personi i autorizuar është vajza e tij, Arxhina Ejupi-Islami.
Edhe aksionari kryesor i Telekomit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, është në dijeni për punësimet e tilla.
Vetë ministri Valdrin Lluka ka thënë në KTV-në se numri i të punësuarve, që nga qershori i 2018 në Telekom, është rritur për 200 persona.
Madje, sipas tij, arsyetimi që i ka ardhur nga Telekomi është se këto punësime janë bërë në emër të marrjes në duar të shitjes së shërbimeve të Valës.
Osman Ejupi, për kohë të gjatë, ka qenë anëtar i Bordit të autoritetit kosovar të konkurrencës.