I tha zyrtarit të Komunës “ma ke borxh një gjak”, apeli konfirmon akuzën ndaj Haxhi Shalës

12:58 | 19 Shkurt 2022

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj Shalës.

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Haxhi Shalës, ish-deputet i Nismës Socialdemokrate.

Ai akuzohet se kanosi me fjalët “ma ke borxh një gjak”, Ahmet Morinën, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Shala, avokatit Xhevdet Smakiqi, e paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, lidhur me kundërshtimet dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e 14 tetorit 2021, kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Shala, me arsyetimin se aktakuza është e bazuar dhe e mbështetur në prova të pranueshme dhe asnjëra nga provat nuk është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Kundër këtij aktvendimi, brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Smakiqi, për shkak të shkeljes esenciale dispozitave të procedurale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

I njëjti ka propozuar që Gjykata e Apelit ankesën ta aprovojë si të bazuar, aktvendimin e ankimuar ta ndryshojë, në mënyrë që ta hudhë aktakuzën e ushtruar ndaj Shalës.

Tutje, prokurori i Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, kurse vendimi i ankimuar të vërtetohet.

Ndërsa, Apeli pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës në këtë çështje penale ka gjetur se ankesa e avokatit Smakiqi nuk është e bazuar.

Komento: