I vazhdohet paraburgimi Salih Mustafës, vazhdon edhe sot dëgjimi i dëshmitarit në gjykimin ndaj tij

13:46 | 27 September 2021

Trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia ia ka vazhduar paraburgimin ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, i cili po akuzohet për krime lufte.

Me anë të këtij vendimi, trupi gjykues gjithashtu ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrotjësen e viktimave që nëse dëshirojnë mund të paraqesin parashtrimet e tyre për rishikimin e ardhshëm të paraburgimit deri të hënën, me 8 nëntor 2021.

Ndërkaq, për mbrojtjen e Mustafës afati për parashtrimin e tyre për rishikimin e ardhshëm të paraburgimit është caktuar deri me 15 nëntor 2021.

Në këtë rast, sot vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të dytë të mbrojtur W04600, i cili ka filluar ta japë dëshminë e tij më 23 shtator 2021.

Ndryshe, Mustafa është deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 15 shtator.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është konfirmuar më 12 qershor 2020

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./BetimipërDrejtësi

Komento: