Nëna i vdiq sot, kjo është gjendja shëndetësore e vajzës që u godit nga vetura para disa ditësh në Obiliq.
Sot në QKUK vdiq një 45-vjeçare që ishte përfshirë në një aksident trafiku më 9 dhjetor. Sipas Policisë ajo bashkë me vajzën e saj 13-vjeçare ishin goditur nga një veturë në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq.
13-vjeçarja është duke u trajtuar ende në QKUK, përkatësisht në Mjekim Intensiv.
Për gjendjen e saj shëndetësore ka folur drejtori i Klinikës së Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka.
Ai për Express tha se gjendja shëndetësore e 13-vjeçares është stabile, mirëpo e njëjta është ende pa vetëdije.
“Përkundër lëndimeve të rënda, vajza është në gjendje stabile, mirëpo ende nuk kemi kontakt me të pasi që është pa vetëdije. Ajo ka lëndime në kokë, ndrydhje në gjoks dhe lëndime në komblik”, tha Uka.
Në lidhje me vdekjen e 45-vjeçares, për Express ka dhënë detaje zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 01:30 e kemi pranuar informatën nga QKUK, se ka ndërruar jetë këmbësorja N.B. 45 vjeç. Bëhet fjalë për këmbësoren e cila u aksidentua me datën 09 dhjetor 2022 në rrugën Hasan Prishtina në Obiliq”, tha Ahmeti.