Flet për herë të parë dhëndrri.
Janë ende të freskëta dekoret e dasmës së Olsit dhe Rezartës, por fatkeqësisht martesa e tyre, që finalizoi një histori dashurie katër vjeçare, nuk do të zgjaste shumë.
Paja nuk ishte hapur ende.
Këpucët e nusërisë janë aty, ashtu sikurse edhe rrobat, që për fat të keq 19-vjeçarja, nuk arriti t’i gëzojë.
Mëngjesi i së enjtes i gjeti në këtë krevat.
Nusja e pa jetë, ndërsa dhëndri me pak shpresa për jetën. Pas dy ditësh në koma, Olsi vetëm dje ka mundur të ndërgjegjësohet.
“Ne hëngrëm darkë me familjen dhe vajtëm e u shtrimë. Morëm edhe një mangall me prush e vendosëm në dhomë dhe kaq. Asgjë tjetër nuk mbaj mend. Se si më kanë dërguar në spital se kush më ka dërguar nuk di fare asgjë“, tregoi ai.
Të prekur nga kjo tragjedi, prindërit e 27-vjeçarit, Dilaveri dhe Bukurija, tregojnë për Klan Plus momentet e përjetuara mëngjesin e 13 Dhjetorit, shkruan Abcnews.
“Hapa derën e dhomës. I gjeta të shtrirë në krevat. Djali kishte rënë kështu (shpjegon me dorë), ndërsa nusja ishte mbështetur mbi gjoksin e djalit. O Dilo (i shoqi) më paskan ndërruar jetë fëmijët i thashë”, tregon zonja Bukurije.
Por si të mos mjaftonte fatkeqësia që i pllakosi, një tjetër barrë e rëndë për to janë lajmet e publikuara lidhur me ngjarjen.
“Se ne na iku zemra, na iku shpirti, edhe si na shkruajnë ne kot më kot portalet e televizionet. Ne na djeg shpirti. Na u shua familja, tani të futemi në sherr edhe me mikun, sepse jemi rreth miqësie. Sepse ata kanë dëgjuar që janë helmuar. Pse të ndodhin këto gjëra kështu? Kanë shkruajtur kot më kot!”, tregon daja i Olsit.
Olsi ishte me fat, ai shpëtoi, duke zgjidhur kështu edhe enigmën e krijuar për tre ditë me radhë.