Kryeministri Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Spanjë ku edhe ka marrë pjesë në mbledhjen e Internacionales Socialiste ka dhënë një intervistë për mediumin “El periodico”, ku ka folur për arsyet që ky shtet nuk e ka njohur ende Kosovën, dialogun me Serbinë e bashkimin me Shqipërinë.
Ai ka thënë se i vjen keq që Spanja nuk e ka njohur Kosovën, ndërsa është shprehur se “kjo mosnjohje vjen nga mosnjohja e situatës”.
Kur ka folur për këtë, Kurti ka thënë se analogjia e krijuar mes Kosovës dhe Katalonisë është e gabuar dhe sipas tij, kjo është krijuar nga një politikan spanjoll, të cilit nuk ia përmendi emrin.
“Më vjen keq që Spanja është pjesë e pakicës së vendeve të BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Nga 30 shtete të NATO-s, katër nuk na njohin, përfshirë Spanjën. Dhe në BE vetëm pesë nuk na njohin, mes tyre Spanja, që është shteti më i madh nga ata që nuk na njohin. Mendoj se kjo mosnjohje vjen nga mosnjohja e situatës. Kur e shpallëm pavarësinë, nuk e di se kush nga politika spanjolle ka formuluar disa analogji të gabuara me rastin e Kosovës”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit kosovar, transmeton Telegrafi.
I pyetur për të dhënë shpjegim më të detajuar, Kurti është shprehur se “nëse ndonjë politikan spanjoll sheh ngjashmëri mes Kosovës dhe Katalonisë apo ndonjë pjese tjetër të Spanjës, Madridi nuk duhet ta sheh veten e tij si Beogradi”.
“Nga sa na është thënë, në atë kohë në Spanjë ekzistonte shqetësimi se pavarësia e Kosovës mund të shërbente si precedent për disa rajone spanjolle që donin të ndaheshin. Mendoj se shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, kur fitoi Princin e Asturias dha argumentin më të mirë pse Spanja duhet ta njohë Kosovën: NATO ndërhyri në Kosovë në pranverën e vitit 1999 për të ndaluar gjenocidin e kryer nga regjimi i Solobodan Millosheviqit”.
“Vetëm në pranverën e vitit 1999, në Kosovë u vranë më shumë se 10,000 civilë të paarmatosur. Më shumë se 10% ishin fëmijë. 20 mijë gra u përdhunuan. Dhe nga Kosova u dëbuan 860 mijë shqiptarë. Në Gjykatën e Hagës u dëshmua se ky ishte një operacion i paramenduar, i njohur si operacioni Ferradura. Vetëvendosja jonë, pavarësia jonë është kundër këtyre fakteve. Pra, nuk e di ku mund të gjesh analogji, ngjashmëri, në Spanjë. Standardi i jetesës në Kosovë ka qenë gjithmonë më i ulët se në pjesën tjetër të federatës jugosllave. Në vitin 1979, kur standardet e jetesës ishin më të ngjashme në ish-Jugosllavi, diferenca midis më të pasurve (Sllovenia) dhe Kosovës ishte shtatë me një. Në të njëjtin shtet socialist! Lëndët e para nxirreshin nga Kosova, por fabrikat ishin në Serbi dhe gjetkë në Jugosllavi. Ne ishim minatorët dhe ata financuesit”.
Ndër të tjera në këtë intervistë, gazetari spanjoll e ka pyetur Kurtin edhe për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
“A ju kujtohet Albin Kurti i ri, ai i cili përkrahte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, ka pyetur gazetari spanjoll.
Kësaj pyetje, ai i është përgjigjur duke thënë se “Kosova dhe Shqipëria nuk janë dy kombe të ndryshme, por dy shtete të ndryshme”.
“E njëjta gjuhë, i njëjti ekstrakt kulturor…Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe ne duam të bashkohemi gjithashtu: jemi në rrezik të vazhdueshëm për shkak të marrëdhënieve të forta të Serbisë me Rusinë”, ka deklaruar tutje Kurti.
Në fund, ai është pyetur edhe për përfaqësuesin e BE-së, Josep Borell, nëse i njëjti ka luajtur rolin e tij në negociatat e fundit për targat. Këtu Kurti ka thënë se duket sikur Borell po shmanget nga puna e tij e përfaqësuesit të BE-së dhe nga zgjidhja evropiane e mbështetur nga Franca dhe Gjermania.
“Mendoj se ndoshta zoti Borrell po shmanget nga puna e tij e përfaqësimit, nga zgjidhja evropiane e mbrojtur nga Franca dhe Gjermania. Unë besoj se një kryeministër nuk duhet të fokusohet në çështje aq teknike sa çështja e targave. Dhe zoti Borrell duhet të shtyjë për një marrëveshje të vërtetë dypalëshe me Serbinë, në vend që të vrapojë me këtë çështje”, ka thënë Kurti për “el periodico”.