I vrau ish-dhëndri, çifti Plaku përcillet në banesën e fundit – autori varroset të dielën

19:50 | 25 Korrik 2026
i-vrau-ish-dhendri,-cifti-plaku-percillet-ne-banesen-e-fundit-–-autori-varroset-te-dielen

Familjarë, miq dhe banorë të shumtë u dhanë lamtumirën e fundit çiftit Kosta dhe Belere Plaku. Një përcjellje mes dhimbjes së madhe dhe lotëve, ku një komunitet i tërë u bashkua për të nderuar kujtimin e tyre.

Bashkëshortët u vranë me armë gjahu një ditë më parë në banesën e tyre nga ish-dhëndri në fshatin Vidhisht të Roskovecit, raporton ReportTv.

Kosta Plaku, 58-vjeç, humbi jetën menjëherë, ndërsa e shoqja, Belere Plaku, 51-vjeçe mori plagë të rënda dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, por nuk mundi të mbijetojë.

Autori i krimi të rëndë është ish-dhëndri i tyre, Refit Buzi i cili i dha fund jetës me pushkën që vrau ish-vjehrrit pas krushqisë së prishur. 35-vjeçari, i cili nuk pranonte dot ndarjen nga Rozalinda, vajza 24-vjecarja e çiftit, shkoi i armatosur në banesën e tyre dhe i qëlloi me breshëri plumbash.

Më pas mori me forcë ish-partneren dhe u largua në drejtim të ish-fushës së Aviacionit në Kurjan. Policia dhe forcat RENEA e rrethuan dhe ai e liroi ish-të fejuarën, ndërsa vetë qëndroi i ngujuar për disa orë në makinë. Ai nuk iu bind urdhrit të policisë për t’u dorëzuar dhe vrau veten në kushtet e depresionit të thellë.

Për të shmangur tensionet mes dy familjeve, të cilat jetojnë në të njëjtën zonë dhe kanë të njëjtën varrezë, ceremonia mortore e autorit është planifikuar të zhvillohet të dielën.

Komento: