Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, përmes një lidhjeje videotelefonike në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, ka bërë të ditur se AKK-ja ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullim të faljes së 100 eurove për tatimin në pronë.
“AKK-ja e ka mirëpritur këtë vendim dhe pothuajse kemi qenë të sigurtë në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të nenit 5 të ligjit të ri për tatimin në pronën e paluajtshme. Ne kemi mirëpritur, sepse përndryshe komunat do të humbin rreth 30 milionë euro, dhe këto mjete financiare niveli qendror nuk e ka pasur as në mendje që t’i kompensojë apo t’i përkrahë komunat”, ka thënë Ibrahimi.
Tutje, ai ka theksuar se “niveli qendror po merr vendime në mënyrë arbitrare, pa asnjë konsultë me hisedarët kryesorë, sa i përket këtij ligji, dhe ministri Murati ka marrë vendime me grupe teknike, pa u konsultuar fare me kryetarë të komunave apo me drejtorë komunalë të financave apo me Asociacionin e komunave të Kosovës, si përfaqësues legjitim i autoriteteve lokale në Republikën e Kosovës. Në vend që ministri Murati të mendojë për themelimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes komunave dhe nivelit qendror, ai merret me statuse në Facebook duke ofenduar, duke denigruar kryetarët e komunave dhe komunat në përgjithësi”.
Ndër të tjera, kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, i ka bërë thirrje ministrit Murati që të bashkëpunojë me komuna dhe të konsultohet në mënyrë që të ndërtojë ura komunikimi e raporte më të mira në mes të nivelit qendror dhe atij lokal.