
Ibrahimi: Zgjedhjet lokale do të mbahen siç janë planifikuar, do të respektohen ligjet në fuqi.
Një pjese të krerëve të komunave në Kosovë u përfundon mandati katërvjeçar këtë vit. Por edhe përkundër gjendjes aktuale me pandeminë, zgjedhjet lokale do të mbahen ashtu siç janë të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, ka thënë Sazan Ibrahimi, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (ASK).
Por Ibrahimi shpreson që vaksina të mbërrijë në Kosovë brenda tre mujorit të parë të vitit 2021.
“Ne shpresojmë dhe besojmë që situatës me pandeminë do t’i vij fundi, dhe është premtuar nga ish-qeveria që edhe vaksina të mbërrijë në tre mujorin e parë të vitit 2021. Zgjedhjet lokale do të mbahen ashtu siç janë të përcaktuara edhe me legjislacionin në fuqi, dhe shpresojmë që do të kemi vetëm rezultate të mira”.
Ai ka thënë se pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike. Ibrahimi theksoi se kryetarët e komunave kanë bërë maksimumin që të ndihmojnë bizneset.
“Pandemia ka shkaktuar dëme ekonomike. Mirëpo edhe gjatë takimeve që kemi pasur me nivelin qendror jemi munduar që ta gjejmë një mes të artë ku do të ruhet edhe shëndeti publik, por edhe ai ekonomik në mënyrë që të shkohet paralel. Kryetarët e komunave kanë bërë maksimumin që t’i ndihmojnë bizneset. Edhe iniciativat e komunave që të përkrahin bizneset kanë qenë të mirëseardhura”, ka thënë Ibrahimi për EO.