Ibrahimovic thyen rekord me golin e 50-të për Milanin.
Zlatan Ibrahimovic e theu edhe një rekord tjetër në karrierën e tij mbresëlënëse, pasi sulmuesi veteran e kaloi Milanin në epërsi në ndeshjen e së mërkurës kundër Sampdorias.
Sulmuesi suedez e ka dëshmuar veten si lojtar kyç në progresin e Milanit që nga transferimi i tij në San Siro në janar si agjent i lirë, transmeton Gazeta Express.
Milani ishte në pozitën e 11-të në tabelë në dhjetor, mirëpo i ka pësuar vetëm dy disfata në ligë që nga ardhja e Ibrahimovicit në janar, ecuri kjo që ka bërë që Milani të ngrihet në pozitën e gjashtë dhe ta sigurojë një vend kualifikues për Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm.
Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, LA Galaxy, Paris Saint-Germainit, Barcelonës dhe Interit i ka shënuar tetë gola gjatë kësaj periudhe me klubin kuqezi, për herë të fundit në ndeshjen e së mërkurës në Serie A.
Ai gol ishte i 50-ti në karrierën e Ibrahimovicit me Milanin, pasi që ai i kishte shënuar 42 gola në 61 paraqitje gjatë herës së parë në San Siro, në sezonet 2010/11 dhe 2011/12.
Kjo bën që Ibrahimovici të jetë lojtari i vetëm në histori që i ka shënuar nga të paktën 50 gola për dy rivalet e qytetit, Interin dhe Milanin, pasi ai i kishte shënuar edhe 57 gola gjatë karrierës me Interin.
Gjithsej, Ibrahimovici i ka shënuar 552 gola në 934 ndeshje në karrierë, më pak vetëm se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo në mesin e lojtarëve aktivë.