Icardi prishet keq me Interin, ky është vendimi i fundit

11:27 | 02 Gusht 2019

Ylli argjentinas Mauro Icardi, i gatshëm ta paditë Interin.

Konflikti mes Mauro Icardit dhe Interit është kthyer në një luftë të hapur. Klubi e paralajmëroi argjentinasin se ai mund të mos e luajë asnjë minutë sezonin tjetër, por sulmuesi e do vetëm Juventusin dhe mund ta paditë Interin.

Në momentin që Antonio Conte erdhi në pozitën e trajnerit të Interit, klubi e konfirmoi se Mauro Icardi dhe Radja Nainggolani ishin për shitje pasi që nuk ishin më pjesë e planeve të klubit, transmeton Gazeta Express.

Përderisa Nainggolani është duke shkuar drejt ish-klubit të tij, Cagliarit, në formë huazimi, situata e Icardit mbetet e tensionuar dhe e paparashikueshme.

Sipas Gazzetta dello Sport, drejtuesit e Interit – Beppe Marotta, Piero Ausilio dhe Lele Oriali u takuan të enjten me Icardin dhe i thanë se ai mund të mos luajë asnjë minutë gjatë sezonit të ardhshëm.

Kjo gjë nuk i pëlqeu aspak argjentinasit, i cili dëshiron të largohet nga Interi vetëm nëse i sigurohet transferimi në Juventus. Nëse ky transferim nuk ndodh dhe Icardi mbetet jashtë skuadrës së Interit për Serie A apo Ligë të Kampionëve, argjentinasi mund ta paditë klubin.

Ai do të akuzojë klubin me pretendimin se klubi po tenton ta detyrojë atë të largohet nga vendi i punës së tij përmes keqtrajtimeve, izolimit dhe frikësimit.

Nëse Icardi detyrohet të stërvitet i ndarë prej pjesës tjetër të grupit, ai mund ta fitojë këtë proces gjyqësor. Këtë gjë e kishte bërë Goran Pandev kur e kishte paditur Lazion që ia kishte përfunduar kontratën para kohe.

Një gjë e tillë do ta lejonte Icardin të largohej nga klubi si transferim i lirë menjëherë, përkundër që kontrata e tij në San Siro është e vlefshme deri në qershor të vitit 2021.

Të gjitha problemet filluan kur Icardit iu mor shiriti i kapitenit për arsyet të cilat ende mbeten të paqarta. Ky moment do t’i shërbejë Icardit si momenti kur klubi filloi ta keqtrajtojë.

Në anën tjetër, klubi mund të argumentojë se Icardi kishte refuzuar të stërvitej me pjesën tjetër të skuadrës zikaltër. Icardi pretendonte se nuk mund të stërvitej për shkak të një lëndimi të gjurit, mirëpo testet mjekësore zbuluan se lëndimi ishte minimal.

Komento: