Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi, John Bolton zbulon takimin me Tony Blair: Ja çfarë më tha.
Diplomati amerikan John Bolton i cili ka shërbyer si këshilltar për Siguri Kombëtare i Donald Trump sa ishte president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një intervistë për Foreign Press Association është pyetur nëse e ka propozuar idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Express.
Bolton ka thënë se nuk e ka sugjeruar një ide të tillë meqë sipas tij palët vetëm se ishin duke e diskutuar vetë një modalitet të tillë. Por shton se më pas u bë e pamundur politikisht që të realizohej për shkak të kundërshtimeve.
Ish-ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara ka zbuluar edhe një vizitë që i ishte bërë nga ish-kryeministri britanik Tony Blair. Bolton thotë se atë kohë Blair i kishte shkuar për ta takuar dhe i kishte thënë atë kohë se ka liderë që mbase mund ta bëjnë që një ide e tillë të funksionojë, raporton Gazeta Express.
Por Bolton thotë se Blairit i ishte përgjigjur njëjtë siç kishte deklaruar ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, James Baker kur kishte folur për problemin Izrael-Arabi duke thënë se “ne s’mund ta duam paqen më shumë se vetë palët”.
“Shiko unë nuk e sugjerova vetë, ata po flisnin për atë, Dhe u dëshmua politikisht e pamundur, fillimisht në Kosovë dhe më pas edhe në Serbi. Por Tony Blair erdhi më takoi për këtë dhe më tha se aktualisht kemi liderë që mbase mund ta bëjnë që kjo të funksionojë.
Por reagimi im ishte i njëjtë sikur i James Baker kur ishte Sekretar i Shtetit e kur foli për mospajtimin mes Izraelit dhe Arabisë. Ai tha që ne nuk mund ta duam paqen më shumë se vetë palët. Ne nuk imponojmë asnjë zgjidhje, por nëse funksionon duhet ta përkrahim”, ka thënë Bolton për Foreign Press Association, trasnmeton Gazea Express.
Bolton tutje thotë se shumë njerëz s’e pëlqejnë idenë e shkëmbimit të territoreve meqë ekziston frika se mund të destabiliziojë edhe pjesë të tjera të Ballkanit.
Megjithatë thotë se s’duhet harruar që Kosova dhe Serbia kishin rëndë dakord paraprakisht që të flisnin për idenë.
Sipas Bolton, për sa kohë ideja nuk imponohet dhe ka pajtueshmëri të dy anshme shkëmbim territoresh atëherë një gjë e tillë mund të ndodhë në çdo moment.
“Shumë njerëz nuk e pëlqejnë idenë e shkëmbimit të territoreve se mund të destabilizojë pjesë të tjera të Ballkanit. Pika kryesore që duhet pasur parasysh është se shkëmbimi i territoreve që po flitej mes Serbisë dhe Kosovës u ra dakord paraprakisht.
Sa gjatë që nuk imponohet me forcë, shkëmbimi me pajtim të dyanshëm mund të ndodh gjatë gjithë kohës”, ka shtuar tutje John Bolton.
Ai tutje ka marrë edhe një shembull se si kishte funksionuar ideja e shkëmbimit në mes të Kanadasë dhe Danimarkës për një ishull. Kur e thotë këtë Bolton, ndërhyn drejtuesi i intervistës duke i rikujtuar Boltonit se problemi mes Kanadasë dhe Danimarkës ka qenë për një ishull të pabanuar e ndërkohë i kujton se veriu i Kosovës është i banuar me shumicë serbe.
Bolton në fund ka thënë se evropianët s’e kanë pëlqyer idenë e shkëmbimit dhe se vetë ai kishte thënë që “ne e mbështesim atë” dhe rithekson se mendon që ishte e drejtë.