Ideja e Thaçit për korrigjim të kufijve po ‘ringjallet’

08:54 | 12 Dhjetor 2018

Ideja e presidentit Hashim Thaçit për korrigjim të kufijve është ‘ringjallë’.

Para fillimit të fazës finale të dialogut Kosovë – Serbi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte nisur ta proklamonte idenë e korrigjimit të kufirit me shtetin fqinj.

Mirëpo, kjo ide e tij kishte hasur në kundërshtim të ashpër si në Kosovë, ashtu edhe në disa prej vendeve të fuqishme të botës. Por ditët e fundit zyrtarët e BE-së edhe një herë kanë bërë të ditur se nuk përjashtojnë mundësinë që në kuadër të fazës përmbyllëse të negociatave Kosovë – Serbi të ketë edhe lëvizje të kufijve.

Megjithëkëtë, ndërmjetësuesja e dialogut Frederica Mogherini ka thënë se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet mes dy vendeve nuk guxon të mbështetet në vija etnike.

Një deklaratë të tillë e ka kundërshtuar ashpër kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka vlerësuar se Mogherini është duke e mbytur procesin e dialogut, shkruan Zëri.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se ndërkombëtarisht forcat për ndryshim të kufijve janë më të mëdha sesa forcat që janë të rreshtuara kundër këtij opsioni.

Komento: