Fazli Hoxha, 23-vjeçar, u privua nga jeta me armë zjarri në prill të vitit 2022 në parkingun e restorantit “Villa Park” në fshatin Volljakë të Klinës. Viktima paraprakisht ishte sulmuar edhe me mjete të forta. Me lëndime trupore mbetën edhe vëllezërit e tij Mahmuti dhe Alberti. Për këtë rast, Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar të martën për ngritjen e aktakuzës kundër gjashtë personave të familjes Gashi për bashkëkryerje të vrasjes së rëndë. Gazeta Express ka siguruar aktakuzën në të cilën përshkruhet në detaje rrjedha e konfliktit ku gjithçka dyshohet se nisi për një borxh prej 300 eurosh – rast ky që kishte ndodhur në Itali.
Prokuroria e Pejës pretendon se familjarët Gashi tentuan t’i privojnë nga jeta edhe dy vëllezërit e viktimës, duke i goditur në vazhdimësi me mjete të forta dhe duke shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre.
Sipas aktakuzës, tre vëllezër të të dëmtuarve (Hoxha) kishin rrahur një vëlla të të pandehurve Gashi, për një borxh prej 300 euro në Brescia të Italisë. Por që vrasja pastaj ndodhi për hakmarrje në Kosovë.
Në natën tragjike me 28.04.2022 rreth orës 20:30 në fshatin Volljakë të Klinës, të pandehurit kishin lokalizuar vendndodhjen e viktimave, ku viktimat kishin shkuar me familje në restorant për iftar.
Në dispozitivin e parë të aktakuzës së ngritur shkruan se viktima Fazli Hoxha u godit nga një predhë në kokë, përkatësisht në syrin e majtë, “duke tejshkuar kokën dhe duke përfunduar pas veshit të djathtë, i cili rrëzohet pa shenja jete”. Sipas aktakuzës së prokurorisë, viktima u godit edhe i shtrirë dy herë me lopatë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje u kishin dalë në pritë viktimave.
“Të pandehurit Nderim, Agron, Ardit dhe Bahri Gashi përderisa ishin në një vendpunishte, atypari kalon i dëmtuari Mahmut me veturën e tij të llojit “Porche”, më të vërejtur këtë të fundit, të pandehurit Nderim, Bahri dhe Ardit, me veturën pick-up, përcjellin dhe lokalizojnë vendndodhjen e të dëmtuarit rreth orës 20:14 parkojnë veturën në parking përballë hyrjes kryesore të restorantit dhe me gatishmëri për t’u larguar, këtë informacion e bartin tek i pandehuri Agron, i cili komunikon me të pandehurin Basri dhe të njëjtit rreth orës 20:21 u bashkëngjiten të tjerëve në parkingun e restorantit, më pastaj i pandehuri Basri hyn në restorant nga hyrja kryesore, shikon se ku janë ulur familja Hoxha, kthehet tek vetura ku ishin edhe të pandehurit tjerë, pastaj vazhdon për tek hyrja anësore, ulet në pjesën e tarracës dhe gjatë gjithë kohës monitoron situatën”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Pejës, të cilën e posedon Gazeta Express.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Basriu ka përcjellë vazhdimisht lëvizjet e viktimës dhe të dëmtuarve në brendi të restorantit dhe jashtë.
Ashtu që në momentin kur i dëmtuari Mahmuti del nga restoranti të pandehurit vrapojnë në drejtim të tij dhe më pas në përleshje ndërhyjnë edhe vëllezërit e Mahmutit, në mesin e tyre edhe viktima Fazli.
Gjatë rrahjes, përveç përdorimit të armës së zjarrit u vunë në përdorim edhe mjete të forta si shkopi e lopata. Prokuroria thotë se Mahmuti u godit disa herë pas koke dhe në pjesën e epërme të trupit.
“Me të dalë i dëmtuari Mahmut nga hyrja kryesore, vërehet nga të pandehurit tjerë, ku i pari nga vetura del i pandehuri Ardit me mjet të fortë (shkop) në dorë, i cili vrapon në drejtim të të dëmtuarit Mahmut, e pas tij vrapon edhe i pandehuri Nderim po ashtu me mjet të fortë në dorë (shkop), aty ndërhyn viktima Fazli, mirëpo që në përleshje e sipër bashkëngjiten edhe të pandehurit Agron dhe Bahri, ku ky i fundit kishte mjet të fortë në dorë (lopatë), në ato momente ndërhyn edhe i dëmtuari Albert, i cili pas të dëmtuarit Mahmut bëhet objekt i goditjeve të pandërprera me mjete të forta dhe grushte e shqelma nga të pandehurit, veprime këto që vërehen nga viktima i cili me vrap afrohet për të zmbraps sulmin ndaj të vëllait, por që më të arritur, i pandehuri Nderim nxjerr armën/pistoletën e llojit TT, merr shenjë në të dhe e godet me një predhë në kokë (ora: 20:30), pikërisht në syrin e majtë, duke tejshkuar kokën dhe duke përfunduar pas veshit të djathtë dhe i cili rrëzohet pa shenja jete, e që goditet ashtu i shtrirë edhe dy herë me lopatë nga i pandehuri Bahri, ndërsa që shtie edhe herë të tjera duke rrezikuar edhe vëllezërit e tij dhe të tjerët përreth”, thuhet në aktakuzë.
Pastaj sulmi vazhdon përsëri ndaj të dëmtuarit Albertit dhe në këtë situatë “i pandehuri Basri gjatë kohës derisa është në vendngjarje qëndron vetëm duke i vëzhguar dhe atë në një distancë shumë të afërt, pa ndërmarrë ndonjë veprim aktiv për t’i ndarë, e që të gjitha këto veprime nga të pandehurit janë ndërmarr me motiv hakmarrjeje ku tre vëllezër të të dëmtuarve Hoxha, kishin rrahur një vëlla të të pandehurve Gashi, për një borxh prej 300 euro, rast ky i ndodhur në Brescia – Itali”, vijon aktakuza të cilën e posedon Gazeta Express.
Gjithashtu, i pandehuri Basriu sipas prokurorisë parandalon menaxherin e restorantit – dëshmitarin që të ndërhynte për t’i ndarë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, vëllai i viktimës Alberti ishte marrë në shenjë teksa ishte i shtrirë përtokë por nuk ishte është qëlluar kështu ishte bërë viktimë e goditjeve të pandërprera. Por në tentativë për ta shpëtuar të vëllain, plagoset në këmbë Mahmuti.
“….Aty ndërhyn viktima Fazli, mirëpo që në përleshje e sipër bashkëngjiten edhe të pandehurit Agron dhe Bahri, ku ky i fundit kishte mjet të fortë në dorë (lopatë), në ato momente ndërhyn edhe i dëmtuari Albert, të cilin e shtrijnë përtokë dhe i cili bëhet objekt i goditjeve të pandërprera me mjete të forta dhe grushte e shqelma nga të pandehurit Nderim, Agron dhe Bahri, veprime këto që vërehen nga i dëmtuari Mahmut, i cili me vrap afrohet për të zmbraps sulmin ndaj të vëllait duke marrë një mjet të fortë të cilin e kap me të dy duart dhe e hedh në drejtim të të pandehurit Bahri, por që më të arritur, i pandehuri Nderim nxjerr armën/pistoletën e llojit TT, merr shenjë në të dhe e godet me një predhë në këmbën e majtë poshtë gjurit, i njëjti largohet për në brendi të restorantit, me ç’rast i pandehuri Nderim shtie edhe njëherë në drejtim të tij por që nuk e qëllon, më pastaj vazhdimisht merr në shenjë të dëmtuarin Albert përderisa ishte i shtrirë në tokë dhe duke u përleshur me të pandehurit Agron dhe Bahri, mirëpo që nuk ka mund ta qëllojë, e që më pas ndërhyn edhe viktima Fazli i cili humb jetën siç edhe është përshkruar në dispozitivin I”, përshkruhet në aktakuzë.
Me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Pejës të pandehurit N.G., B.G., A.G., B.G dhe A.G nga muaji prill i vitit të kaluar gjenden nën masën paraburgimit, ka njoftuar prokuroria.
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve N.G., B.G., A.G., B.G dhe A.G për kryerjen e veprës penale në bashkëkryerje “Vrasje e rëndë” nga neni 173, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ndaj të pandehurve N.G.,A.G., B.G., A.G. dhe B.G., për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173 të KPRK-së.
N.G. dhe Y.G., akuzohen për veprën për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim te paautorizuar të armëve” dhe i pandehuri Y.G., për veprën penale ndihma në kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje e rëndë në tentativë”.