IKD-ja paralajmëron mundësinë e shtyrjes së masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese

15:56 | 30 Shtator 2025
IKD-ja paralajmëron mundësinë e shtyrjes së masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese

Masa e përkohshme që Gjykata Kushtetuese vendosi më 5 shtator, e cila ka pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e Kuvendit të Kosovës, përfundon sot. Në pritje të vendimit meritor, ekspertët ligjorë shprehen për ecurinë e procesit kushtetues dhe formimin e institucioneve.

Dy skenare të mundshme për Gjykatën Kushtetuese

Gzim Shala nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) thekson se, ndonëse pritet që sot të lëshohet një vendim meritor, ekziston mundësia që Gjykata të vendosë për shtyrje të afatit të masës së përkohshme.

”Nisur nga fakti se Gjykata Kushtetuese ka caktuar këtë afat kohor, arsyeshëm pritet që sot të nxjerrët një vendim meritor nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, bazuar në praktikën e kaluar të Gjykatës Kushtetuese, ka edhe raste kur është vendosur që të miratohet një vendim i ri për shtyrje të afatit të masës së përkohshme”, thotë Shala për Indeksonline.

Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar

Sipas IKD-së, Kuvendi i Kosovës nuk mund të llogaritet si i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, duke përfshirë edhe ata nga komunitetet jo-shumicë. Shala thekson se procedura e ndjekur deri më tani ka qenë problematike nga këndvështrimi kushtetues.

”Sa i përket konstituimit të kuvendit, IKD-ja vazhdimisht ka deklaruar se kuvendi nuk mund të konsiderohet i pakonstituuar në mungesë të përzgjedhjes së të gjithë nënkryetarëve të kuvendit. Madje, siç kemi deklaruar paraprakisht, procedura e përzgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë ishte në kundërshtim me Kushtetutën, e cila kërkon që nënkryetarët e kuvendit nga radhët e komuniteteve të votohen në pako”, shprehet Shala për Indeksonline.

Në këtë kontekst, Shala vlerëson se Gjykata Kushtetuese duhet të urdhërojë përsëritjen e votimit për nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë, duke garantuar që të dy nënkryetarët të zgjidhen në pako, siç përcaktohet në Kushtetutë.

”Vetëm pas përzgjedhjes së të gjithë nënkryetarëve të kuvendit përmes procedurave të rregullta kushtetuese mund të konsiderohet se Kuvendi është konstituuar, për t’u hapur rruga më tej për formimin e institucioneve”, thekson ai.

Paralajmërim për moszbatimin e vendimit

Shala ngre shqetësimin se çdo moszbatim i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese do të përbënte shkelje të Kushtetutës. Ai bën thirrje që partitë politike të veprojnë me përgjegjësi dhe të shmangen nga veprime që mund të pengojnë zbatimin e vendimit gjyqësor.

”Andaj, partitë politike duhet të përmbahen nga çfarëdo veprimi që paraqet mos zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast, theksojmë edhe rëndësinë e mos sabotimit të zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përmes veprimeve politike. Në raport me këtë aktgjykim, partitë politike duhet të veprojnë me sinqeritet dhe mirëbesim për të dalë nga kriza institucionale”, shton në fund Shala.

Konteksti i ankesës në Kushtetuese

Çështja në Gjykatën Kushtetuese u ngrit pas ankesës së Listës Serbe, e cila kontestoi veprimin e kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha. Basha kishte shpallur organin ligjvënës të konstituuar, pavarësisht se nuk ishte zgjedhur ende nënkryetari nga komuniteti serb.

Vendimi që pritet sot nga Gjykata Kushtetuese mund të përcaktojë rrugën e daljes nga kriza institucionale që ka mbizotëruar që nga fillimi i shtatorit.

Komento: