Deda tregon sesi shoqëria civile i kërkoi Isa Mustafës të garonte për kryetar të LDK-së.
Ish-deputeti, Ilir Deda ka vazhduar me publikimin e shkrimeve në Facebook.
Në shkrimin e radhës ai ka folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku kujton një takim që kishin pasur me Isa Mustafën, deri sa ishte pjesë e shoqërisë civile ku madje kishin kërkuar nga ai që të garonte për kryetar të LDK-së.
Deda shkruan se kishin kërkuar nga LDK që të ngriste zëron ndaj të këqijave që po ndodhin në Kosovë.
“Shpresa në LDK në fakt vinte nga Isa Mustafa, i cili u shëndrrua në zërin kryesor politik kundër PDK-së dhe bashkëqeverisjes së LDK-së me PDK. Ishim bërë të gjithë bashkë që ta përkrahnim fitoren e tij “pa balotazh” në vjeshtën e 2009 kundër një fushate agresive të PDK-së. Mendonim se LDK e gjeti zërin e vet dhe mundësinë e reformës përmbajtësore të brendshme”, shkruan Deda.
Shkrimi i tij i plotë:
LIDHJA QË ENDE NUK U BË
Pranverë, 2010
Në vlugun e konfliktit të shoqërisë civile me Qeverinë Thaçi 1, pjesë e së cilës Qeveri ishte edhe LDK-ja, nën trysni apo “këshillë” të mbikqyrësve të pavarësisë shkuam një delegacion i udhëhequr nga Yll Hoxha te Presidenti Fatmir Sejdiu.
Kjo vizitë në një mënyrë, apo mes rreshtave, ishte kundërpërgjegje ndaj PDK-së e cila kundërshtarin më të madh të brendshëm sillej që e kishte shoqërinë civile dhe mediat e lira. Z. Sejdiu i prezantuam kërkesat tona për mbrojtjen e të drejtave bazë të një vendi demokratik, dhe kërkuam që LDK të ngriste zërin ndaj të këqijave që po ndodhnin në Kosovë. Nuk pat ndonjë rezultat konkret nga ai takim, përveq zotimit që do të takoheshim rregullisht (takime që kurrë nuk ndodhën më).
Shpresa në LDK në fakt vinte nga Isa Mustafa, i cili u shëndrrua në zërin kryesor politik kundër PDK-së dhe bashkëqeverisjes së LDK-së me PDK. Ishim bërë të gjithë bashkë që ta përkrahnim fitoren e tij “pa balotazh” në vjeshtën e 2009 kundër një fushate agresive të PDK-së. Mendonim se LDK e gjeti zërin e vet dhe mundësinë e reformës përmbajtësore të brendshme.
Verë, 2010
Nuk më kujtohet a ishte muaji gusht apo shtator, por me iniciative të Ylli Hoxhës, rreth 20 figura të organizatave joqeveritare, gazetare e individë nga bota e kulturës u takuam për drekë pune me Isa Mustafën. Ne të gjithë e shprehëm gadishmërinë tonë që të angazhoheshim në LDK në rast se ai do të kandidohej për kryetar të partisë. Profesor Mustafa tha që nuk kishte as ambicie e as dëshirë të kandidonte për të parin e LDK-së në zgjedhjet e brendshme që do të mbaheshin 2 muaj më vonë.
Në shtator u vetërrëzua Qeveria Thaçi 1.
Në tetor u themelua Fryma e Re.
Në nëntor Isa Mustafa u zgjodh kryetar i LDK-së.
Në dhjetor pasoi “vjedhja industriale e votave”.
Pranverë, 2011
Pas shkuarjes së FER-it në Vetëvendosje, mu dha mundësia që të shkoj në periudhë kohore 9-12 muaj të Atifete Jahjaga. Para “PO”-së përfundimtare, dhe konsultimeve të shumta, u takova edhe me Isa Mustafën. Duke e marrë parasysh që Jahjaga ishte produkt i një marrëveshjeje politike, nuk doja të shkoja pa përkrahjen e Profës (që edhe ma dha).
Ishte një përshtypje nga biseda që patëm që pas përfundimit të mandatit 9-12 muajsh të Jahjagës do të vinte koha e rrugëtimit të përbashkët me LDK-në.
Dimër 2013/2014
Bashkë me Lulzim Pecin dhe një grup të personaliteteve publike e zhvilluam një plan për ndihmë LDK-së që të del e para në zgjedhjet nacionale të radhës.
Plani ishte diçka si LDK Plus, ku “plusi” ishim nja 15-20 vetë që do të kandidonim në listë të LDK-së dhe ta bënim kapërcimin që i nevojitej LDK-së që të fitonte.
Ky projekt dështoi. Më vonë kam kuptuar që “të moçmit” e LDK-së me përbuzje e kishin refuzuar këtë plan (“LDK fiton vetë!”), përkundër asaj që Isa Mustafa kishte qenë pro.
Maj 2017
“Nuk mund të lejojmë që ekspoziturat e Lëvizjes Popullore të Kosovës ta shkatërrojnë forcën më të madhe pro-perëndimore në Kosovë” ishte një nga fjalitë që ja thash tash ish- kryeministrit Mustafa në zyren e Qeverisë së Kosovës në takim për marrëveshje për koalicion të Alternativës me LDK-në ku ishim Mimoza, unë, Isa Mustafa dhe Kujtim Shala (më duket që ka qenë edhe Avdullah Hoti). Takimin e kishin ndihmuar Adriatik Kelmendi dhe Naim Rashiti. Kësaj radhe “të moçmit” nuk mund të ndërhynin, LDK ishte 18-20% në sondazhe (Alternativa 3.6-4%, AKR 6%). Profesori shkarazi e përmendi projektin e prezantuar disa vite më herët nga Luli dhe unë. E kishim humbur mundësinë më herët, nuk bën ta humbnim tash.
Tash të gjithë, dukej, kishim mësuar nga mundësitë e humbura. Ndoshta do të vendosej më në fund korniza e një bashkëpunimi afatgjatë. Për këtë arsye edhe u befasova (për të keq) kur mu komunikua ndalimi i fjalimeve në tubime të mëdha parzgjedhore. Apo, kur kuptova për “direktivat” që të punohej në terren që të mos votohesha. Ndoshta nuk paskemi mësuar nga e kaluara. Ndoshta kurrë nuk do të mësojmë.