Ilir Deda në PSD? –Kjo është e vërteta

19:00 | 19 April 2019

Partia Social Demokrate ka filluar negociatat me njërin nga themeluesit e Alternativës Ilir Dedën që ky i fundit të i bashkohet grupit parlamentar të PSD-së në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, deri në momentin e publikimit të lajmit në sekretariat të kuvendit nuk është dorëzuar ende kërkesa për ndërrim të grupit parlamentar, thonë burime te Express.

Gazeta ka kontaktuar për këtë temë edhe kryetaren e Alternativës Mimoza Kusari-Lilën, mirëpo ajo ka bërë të ditur se nuk ka asnjë informacion të tillë për partiakun e saj.

Tashmë veç dihet se qëndrimet e Kusarit dhe Dedës janë diametralisht të kundërta, e të dy këta ka një kohë që po shihen me parti tjera. Vetëm një javë më parë Mimoza Kusari Lila është parë duke mbajtur fjalim në njërin nga tubimet e VV-së me moton kundër PANhajnisë.

I kontaktuar nga Gazeta Express, deputeti Ilir Deda në një përgjigje të shkurtër, ka thënë se nuk dëshiron të prononcohet lidhur me këtë temë, duke mos e pohuar e as mohuar lajmin për kalimin e tij në grupin parlamentar të PSD-së.

Një nga themeluesit e ish partisë FER(Fryma e Re), në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 kjo parti ishte renditur e pesta me vetëm 2.17% të votave. Atë kohë ishte kritikuar procesi zgjedhor i njohur edhe si vjedhja industriale e votave. FER u shpërbë, anëtarët e tjerë më vonë iu bashkuan Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga prilli i vitit 2011 deri në janar të 2012 Ilir Deda shërbeu si shef i kabinetit të presidentes Atifete Jahjaga.

Pak para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në qershor të vitit 2014, Ilir Deda kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje ku tashmë kishin kaluar edhe ish partiakët tjerë të FER-it. Ilir Deda në fjalimin aderues në Vetëvendosje në maj të 2014-tës kishte thënë se me VV-në Kosova dhe ai do të ndihen krenarë. Ai në këto zgjedhje mori 15.765 vota, dhe u zgjedh deputet i Kuvendit të Kosovës.

Gjatë kësaj legjislature Ilir Deda kishte shfaqur pakënaqësi me mënyrën se si Vetëvendosje protestonte në Kuvendin e Kosovës. Ai nuk ishte pajtuar që të gjuhej gazi lotsjellës gjatë seancave parlamentare kur diskutohej demarkacioni me Malin e Zi dhe asociacioni i komunave serbe.

Gjatë kësaj kohe përflitej për një kalim të mundshëm të tij në LDK, por në një reagim ironik të tij Deda pati shkruar se “Ma përpara shkoj në planetin Kepler 452b. Kaq për “burime të sigurta”.

Por ai u largua nga Vetëvendosje më 25 prill 2016 në një konferencë të përbashkët me ish sekretarin organizativ në atë kohë Dardan Molliqajn, duke e cilësuar si ndarje paqësore të rrugëve.

Ai bashkë me Mimoza Kusari-Lilën formuan partinë Alternativa, dhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2017 kjo parti megjithatë hyri në koalicion parazgjedhor me LDK-në. Në listën e këtij koalicioni Deda u zgjodh përsëri deputet i Kuvendi të Kosovës.

Komento: