Ilir Deda shpërthen ndaj Mimoza Kusarit: Nuk di çka flet, partia në krizë të thellë

08:44 | 05 April 2019

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka akuzuar bashkëpartiakën e tij, Mimoza Kusari-Lila se ajo sipas tij, nuk di çka flet pasi që partia në krizë të thellë.

Kanë vazhduar përplasjet mes bashkëthemeluesve të Alternativës, Ilir Deda dhe Mimoza Kusari-Lila.

Në Interaktiv të KTV-së, Deda ka thënë se kryetarja e kësaj partie nuk po e di çka po flet dhe se partia është në krizë të thellë. Ai ka thënë se Kusari ka ndërruar fjalët dhe se e ka quajtur të pahijshëm faktin që ajo ka folur publikisht për përplasjet brenda partisë.

“Natyrisht që jam në Alternativë. Në emër të partisë që e kam themeluar marr pjesë në takimet. S’di çka po thotë Mimoza sepse katër muaj foli diçka, e në muajin e pestë i demantoi deklarimet. Është e pahijshme që mospajtimet e brendshme të përçohen publikisht e të shtyhemi përmes kamerave. S’pranoj të bie në nivel të tillë të shtyrjes publikisht. Jam munduar me veprim timin të tregoj që s’kemi nevojë me u shty. Kur ke mospajtime nëse s’mundesh me i zgjedh, i ndan rrugët. I kam vizituar degët dhe kam përkrahje bajagi dhe e përfaqësoj partinë. Ne jemi në krizë shumë të madhe”, ka thënë Deda.

Ai ka shtuar se për shkak të refuzimit nga Kusari ka mungesë konsensusi brenda partisë. Sipas tij, për shkak të Kusarit, ka dhënë dorëheqje kryetari i degës së Prizrenit, ndërsa ka pas edhe dorëheqje të tjera. Ka shtuar se mund të takohet me bashkëthemeluesen për të diskutuar nëse mund të ecin bashkë në parti.

“Kur kam pa që më përkrahin degët, kur të dojë Mimoza mund të takohemi e të ecim bashkë nëse është e mundur, nëse jo dalim në konferencë e themi se njëri po shkon. Alternativa është bë që gjenerata jonë politikë me pas një ombrellë politike. Të përfundojë me njerëz që i përkasin brezit tjetër politik”, ka thënë ai teksa ka vazhduar se kjo parti ka pas vendim të përkrahë Ekipin negociator dhe platformën, e jo siç deklarohet Kusari. “E kemi pas vendim me përkrah. Ajo ju ka thënë jo, por Mimoza s’po di çka flet, më vjen keq. I kemi vendimet e dhjetorit që s’i kam përkrah, por i kam votuar. Alternativa do ta përkrahë Ekipin, platformën, rezolutën dhe kërkon zgjedhje. Ky ishte vendimi. Janë disa anëtarë që s’shkojnë nëpër mbledhje si revoltë për krizë të brendshme. Në vend se të rritet partia ne shtyhemi publikisht. S’na bën nder”, ka thënë ai.

Komento: