
Situata e qenve endacakë në Kosovë ka arritur nivele alarmante, me akuza të rënda ndaj autoriteteve lokale për keqtrajtim, helmim dhe vrasje sistematike. Sadri Sopi nga shoqata “Animals Kosovo”, e themeluar në Holandë, pohon se qasja e shumicës së komunave ndaj këtij problemi është çnjerëzore dhe ka dëmtuar rëndë imazhin ndërkombëtar të vendit.
Sipas Sopit, përpjekjet e shoqatës së tij për të bashkëpunuar me komunat kanë hasur në një mur heshtjeje, me përjashtim të Komunës së Shtimes. Ai pretendon se shumica e komunave të tjera nuk janë të interesuara për një zgjidhje humane, por kanë plane për zhdukjen e qenve dhe keqpërdorimin e fondeve.
“Ka raste të helmimit të qenve, ka raste të vrasjes së qenve, ka domethënë shumë më të zeza që mund të paramendojë njeriu, tani i përjetojnë kafshët tona në Kosovë, ne i kemi ftuar të gjitha komunat të bashkëpunojnë me ne, po deri më tani vetëm Komuna e Shtimes ka treguar interes dhe jemi në bashkëpunim, kurse komuna të tjera, po të them shumica e komunave të tjera vetëm kanë plane si me i zhduk qentë, si me i keqpërdorur fondet, po jo me zgjidhur problemin”, theksoi Sopi.
Sipas tij, agresiviteti te qentë shpesh shkaktohet nga uria dhe zhvendosja e tyre në territore të panjohura, pasi asnjë komunë në Kosovë, nuk ka një program për ushqimin e tyre.
“Ne e kemi thënë disa herë që vrasja e qenve, zhvendosja, deportimi, sikur atë që e praktikojnë, nuk është zgjedhje, po duhet t’i sterilizojmë krejt qentë. As ndërtimi i strehimoreve të shtrenjta nuk është zgjidhje, se ato pare mund me i përdorur për me i sterilizuar qentë. Se një strehimore e thjeshtë që këta e ndërtojnë kushton 300.000 euro. Me 300.000 euro ne i sterilizojmë 6.000 qenë e ata 6.000 qenë kur t’i sterilizojmë, parandalohet lindja e më së paku 15.000 këlyshëve. E ata 15.000 këlysh, këta kurrë nuk mund me i strehuar në atë strehimoren që po ju kushton 300.000 euro”, theksoi Sopi.
Ai tregon se në cilën komunë keqtrajtohen qentë.
“Kemi shembullin e komunës së Pejës, ajo njihet për tmerrin, hororin e qenve. Është ajo mbeturinorja aty në Sferkë. Aty kemi sterilizuar vitin e kaluar mbi 1.000 qenë. Edhe i kemi thirr e kemi ftuar kryetarin edhe të gjithë, domethënë zyrtarët e komunës, “ejani t’i sterilizojmë, se jemi duke harxhuar para të holandezëve në komunën e juaj.” As që reagojnë. Kjo vlen edhe për komunën e Prishtinës, edhe për Prizrenin e të gjitha komunat”, theksoi Sopi.
Sipas tij, keqtrajtimi i qenve po krijon një imazh jo të mirë për vendin.
“Zyrtarët e Kosovës nuk i vizitojnë seminaret ose kongreset lidhur me kafshët në Evropë, ku flitet zi e terr për ne. Është një imazh shumë i zi, se neve na quajnë talebanët e Ballkanit, që vrasin, ky popull vret qen, i helmon qentë, i zhduk qentë, domethënë nuk ka kurrfarë qasje ose si të ndihmohet kjo çështje në mënyrë humane, po vetëm bëjnë plane si me i zhduk qentë. E, që kjo situatë edhe sjellja e tyre ka me i kushtuar Kosovës shumë në imazh me dekada, që nuk ka me u përmirësuar ky imazh. Edhe sa kushton me e zgjidh çështjen e qenve nuk është as 10% sa ka me na kushtuar neve në investitorë, në vizitorë, e në turistë e në të gjitha”, tha ai.
Ai ka shtuar se ekziston dyshimi që disa komuna ose zyrtarë nuk po duan t’i sterilizojnë se po kanë frikën që do t’iu humbet biznesi.
“Këta më duket zyrtarët tonë këtu vetëm e përcjellin Big Brother, nuk i përcjellin si flitet për Kosovën aty. Kjo duhet me u zhduk. Se zyrtarët mendojnë tash vetëm të vetëpasurohen. A nuk e kanë brengën çka do të pësojë Kosova e gjeneratat tona që do të identifikohen mbas 10-15 viteve me një popull që ka vrarë qen, ka helmuar qen edhe, edhe i ka keqpërdorur qentë”, tha Sopi.
Ai shtoi se strehimi i qenve është hapi i parë i zhdukjes së tyre.
“Zgjidhja, çelësi kryesor, një e deri në 10 është sterilizimi intensiv, me i sterilizuar të gjithë qentë. Edhe nëse duan me i strehuar, të strehohen këlyshët edhe qentë që kanë nevoja mjekësore. Domethënë edhe ka qen shumë të aksidentuar e mos t’i, mos t’i strehojnë këta qentë e shëndoshë, se këta e quajnë strehim, po ajo është hapi i parë para zhdukjes. Domethënë këta e thonë që e kemi ndërtuar, po aty vetëm bëhen plane si me i zhduk edhe me ia humb fijen ose i deportojnë nëpër mbeturinore ose diçka tjetër. Po ajo strehimore nuk është me qëllim humanitar sikur që përdoret në perëndim për me strehuar, domethënë një qen që ka nevoja mjekësore”, tha Sopi.
Sopi bën thirrje që menaxhimi i kësaj çështjeje t’u besohet vullnetarëve dhe dashamirësve të kafshëve, dhe jo zyrtarëve që, sipas tij, i urrejnë qentë dhe kanë si qëllim të vetëm përfitimin nga fondet e dedikuara për ta, duke i lënë Kosovës një “hije të zezë” si vend i vrasësve të kafshëve./Kosovapress/