Imer Imeri, vëllai i aktivistit të vrarë të LDK-së, Haki Imeri, ka deklaruar hapurazi se është dëshmitar në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ai tha se para 10 ditësh, ka takuar tre avokatë të viktimave, me të cilët ka qëndruar për rreth tre orë.
“Unë në Gjykatën Speciale jam dëshmitar i hapur, para 10 ditëve kanë qenë 3 avokatë për viktima, kam qëndruar 3 orë me ta”, ka thënë Imeri në RTV Dukagjini.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë bërë të ditur se në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nesër më 11 prill fillon procesi i paraqitjes së provave nga ana e Zyrës së Prokurorisë Speciale, respektivisht me dëgjimin e dëshmitarëve.
Seancat do të vazhdojnë edhe të mërkurën dhe enjten, ku gjatë këtyre ditëve parashihet dëgjimi i dëshmitarëve të parë.
Të gjitha këto seanca pritet të fillojnë në orën 9:30, por se do të transmetohen me 45 minuta vonesë për publikun.
Kujtojmë se javën e kaluar nisi gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ku u mbajtën deklaratat hapëse, meqë rast Thaçi dhe të tjerët përmes fjalimeve të tyre dhe palës mbrojtëse deklaruan sërish pafajësinë e tyre.
Ish-krerët e UÇK-së, ndodhën në Hagë për më shumë se dy vite, nën aktakuzat për krime kundër njerëzimit.