Imeri: Sindikatat të përçara mes vete, kryetari i BSPK-së me një këmbë me pushtetin e me tjetrën me sindikata

08:03 | 07 Dhjetor 2023
imeri:-sindikatat-te-percara-mes-vete,-kryetari-i-bspk-se-me-nje-kembe-me-pushtetin-e-me-tjetren-me-sindikata

Vetëm 5 euro do të jetë rritja e vlerës së koeficientit të pagave për vitin e ardhshëm.

Me projektligjin mbi ndarjet buxhetore, Qeveria e rriti atë nga 105, në 110 euro, e që i prek të gjithë punëtorët e sektorit publik në Kosovë.

Me vlerën prej 105 euro nuk ishin të kënaqur pothuajse asnjë sindikatë në vend.

E, ndër to edhe Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës.

Kryetarja e kësaj sindikate, Tevide Imeri ka thënë për Front Online se tashmë vlera është caktuar dhe se më nuk kanë çka të reagojnë.

“Ne të gjithë e kemi ditë që vlera e koeficientit për vitin e ardhshëm do të rritet vetëm për 5 euro dhe nëse ish dashtë me reagu ish dashtë atëherë. Tash nëse nisemi nga ajo që e kemi ditë që moti që do të jetë 110 nuk është risi që ne me u angazhu dhe me nga pas kësaj pune dhe me qu pluhur. Por, megjithatë sikur të kish funksionu mirë BSPK-ja kishim dal bashkë dhe kishim reagu”, ka deklaruar ajo për Front Online.

Ajo, ka thënë se deri në publikimin e vlerës së koeficientit nga ana e Qeverisë kanë qenë në dijeni që kjo e fundit do të jetë 120 euro për këtë vit e jo 105.

“Ne, administrata edhe Policia nuk jemi pajtuar kemi qenë shumë kundër sepse jemi përgatit për vlerë prej 120 euro, tek e fundit prej Qeverisë ka dal ky informacion dhe ne jemi përgatit për atë vlerë dhe ashtu e kemi kalkuar, por në fund doli 105 euro sepse e mbajtën fshehtë vlerën”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Imeri ka thënë se deri sa BSPK-ja nuk është duke funksionuar dhe se secila federatë e sindikatë jep mendim kokë në vete, atëherë këtu përfiton pushteti.

Madje, ajo ka akuzuar kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin se me njërën këmbë është me sindikatën e me tjetrën me pushtetin.

“Nuk është se jemi kompakt sindikatat mes vete, jemi të përçarë edhe ne federatat sepse kulmi i shtëpisë është gabim, pra kryetari i BSPK-së është me një këmbë në pushtet dhe me një në sindikatë dhe kështu nuk mundesh me funksionu”, është shprehur ndër të tjera Imeri për Front Online.

Hykolli i kundërpërgjigjet Imerit: Sindikatat janë unike, merruni me çështjen e punëtorëve

Front Online për akuzat e kryesindikalistes Tevide Imeri, ndaj kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka pyetur edhe këtë të fundit se a qëndrojnë të njëjtat.

Hykolli në një përgjigje për Front Online, i është kundërpërgjigjur Imerit duke thënë se federatat sindikale janë unike.

“Informojmë opinionin e gjerë se Federatat Sindikale janë unike, gjë që u vërtetua edhe në takimin e fundit me përfaqësuesin e ETUC. BSPK është e përkushtuar dhe tejet vepruese përkitazi me çështjet sindikale e sidomos drejt ngritjes së mirëqenies sociale dhe ekonomike të të punësuarve. Bota demokratike prodhon edhe veprime jo demokratike e me të cilat nuk merret BSPK”, ka deklaruar ai për Front Online.

Ai, madje ka pasur edhe një kërkesë për federatat sindikale.

“BSPK pret që Federatat Sindikale të merren me çështjen e punëtorëve dhe me ngritjen e mirëqenies së tyre sociale e ekonomike. BSPK punon vazhdimisht në ngritjen e rolit parimor dhe të duhur të veprimit sindikal që i del krah punës dhe djersës së punëtorit, dhe këtë e bën me të gjithë partnerët socialë po edhe me komunitetin sindikal botëror e evropian”, është shprehur më tutje Hykolli./Front Online

 

 

 

 

Komento: