Inaugurohet Qendra shtetërore trajnuese për siguri kibernetike

13:03 | 12 Mars 2024
inaugurohet-qendra-shteterore-trajnuese-per-siguri-kibernetike

Në Kazermën e FSK-së, “Adem Jashari”, në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.

Kurrikula për Qendrën Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, që përbën një element thelbësor në zbatimin e Strategjisë kombëtare të sigurisë kibernetike, është hartuar në mbështetje nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe është implementuar nga Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtar.

Përmes zbatimit të kësaj kurrikule, kjo Qendër përbën një shtyllë të re rëndësishme të mbrojtjes së sigurisë së Kosovës.

Në këtë inaugurim morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, drejtori i NALT, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të MM/FSK si dhe të vendeve partnere ndërkombëtare.

Në fjalën e tij kryeministri Kurti theksoi se ndjen kënaqësi për shënimin e një momenti të rëndësishëm në rrugën që po e ndjek edhe Kosova drejt një hapësire kibernetike më të sigurt, duke shtuar se inaugurimi i kësaj Qendre paraqet një angazhim, përkushtim dhe arritje domethënëse në këtë drejtim.

“Viti i kaluar ka qenë vit i progresit të shumë iniciativave dhe politikave tona në fushën e sigurisë kibernetike. Trajnimet që do të bëhen në këtë Qendër do të adresojnë objektivat qenësore për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore për sigurinë kibernetike dhe krijimin e vetëdijes kolektive për rreziqet kibernetike”, tha Kurti.

Ndërsa, ministri Maqedonci, në fjalën e tij bëri të ditur se Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, do të përmirësojë aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e niveleve të sigurisë kibernetike të institucioneve qeveritare, operatorëve të shërbimeve esenciale dhe ofruesve të shërbimeve digjitale, për të arritur kapacitetet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend.

Komento: