Incidenti Kosovë-Serbi, ja çka ndodhi në Samitin në Tiranë

12:51 | 05 April 2019

Incident në Tiranë, delegacioni serb nuk pranon që pala kosovare të ulet në tryezën për klimën.

Një incident ka ndodhur këtë të premte në Tiranë, ku pritej të mbahej një konferencë mbi “Klimën në Ballkanin Perëndimor”, organizim i cili nuk u bë.

Shkak për këtë incident ka qenë përplasja mes delegacionit serb dhe atij kosovar. Delegacioni serb nuk ka pranuar që në konferencë të jetë pala e Kosovës. Organizimi është kryer nga OKB-ja dhe sipas delegacionit serb, pala kosovare ka ardhur e vetme dhe jo nën siglën e UMNIK-ut.

Në një prononcim për median, Ministri Fatmir Matoshi është shprehur se ishte një situatë e papranueshme.

Matoshi: Ajo që ka ndodhur sot ka të bëjë me rregulla strikte të Kombeve të Bashkuara që Kosova të jetë e përfaqësuar nën siglën e UMNIK-ut ose të personave të Kosovës të shoqëruar nga zyrtarë të UMNIK-ut, gjë që për zyrtarët e Kosovës është e papranueshme dhe nuk do të ndodhë. Ne kemi shfrytëzuar mundësinë që të takojmë gjithë donatorët dhe të kërkojmë mbështetjen e tyre. Tashmë do të zhvillohet një konferencë vetëm në nivel teknik”

Nga ana tjetër Ministri i Mjedisit të Shqipërisë Blendi Klosi u shpreh se përfaqësia e OKB-së vetë e ka pranuar prezencën e Kosovës në tryezë.

Ministri Klosi: Të gjithë e kanë pranuar Kosovën si pjesë e këtij diskutimi. Për ne nuk është normale që të bëhet një konferencë për klimën e rajonit dhe të mos jetë Kosova e pranishme./E

Komento: