Janë bërë të shpeshta përleshjet në LDK.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, pas mbledhjes që pati me kryesinë e LDK-së, ka folur edhe për incidentin që ndodhi dje gjatë procesit zgjedhor.
Para mediave, Abrashi ka thënë për ngjarjen në Mat se kanë qenë të infiltruar nga partitë tjera e se në proces ka pasur demokraci.
“Ka pasë demokraci, sot e kemi pa në media që aty kanë qenë të infiltruar disa të partive tjera. I keni pa pamjet e një personi tjetër me karrike që si duket është i një partie tjetër. Ish i identifikuar edhe me foto edhe emër, nuk kam çfarë të komentoj më shumë”, deklaroi ai, duke dhënë edhe detaje se për çka u diskutua në mbledhjen që zgjati gati tre orë.
“Sot folëm në përgjithësi për zhvillimet e për proceset. Duhet me i trajtu me shumë maturi, duhet më shumë ndërhyrje të kryesisë me ecë tutje. Ka problem edhe me anëtarët e partive të tjera të cilat ndërhyjnë shkaku i mungesës së listët së anëtarësisë. Është tragjike realisht ajo çka ka ndodhë dje, por shihet se janë të interesuar edhe të tjerët për ta dëmtuar LDK-në”, tha ai.
Mirëpo, deputeti nuk e komentoi vendimin e kryesisë për të mos e lejuar atë dhe Hazir Borvcin që të kandidojnë për kryetarë të degës.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media pas përfundimit të takimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.