
Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ndodhur sot një incident mes dy punonjësve shëndetësorë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla e cila ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë njoftuar organet e rendit dhe se policia ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Sipas informatave fillestare, në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve ka ndodhur një incident mes dy punonjësve shëndetësorë. Për rastin janë njoftuar organet e rendit, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Qyqalla.
Ajo ka shtuar se për momentin nuk ka detaje shtesë lidhur me shkaqet e incidentit, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga autoritetet kompetente. QKUK nuk ka dhënë informacione nëse incidenti ka ndikuar në mbarëvajtjen e punës në këtë klinikë apo në trajtimin e pacientëve.
Ndryshe, është raportuar se B.K. dhe Xh.A. janë përplasur fizikisht në hyrje të ashensorit në objektin e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve. Gjithçka kishte nisur të premten me një përplasje verbale në mes dy kirurgëve, për të përfunduar me grushta ditën e sotme. /Telegrafi/