Interi reagon: Nuk jemi në negociata me Barcelonën, Lautaro është e ardhmja.
Interi ka mohuar të kenë nisur bisedimet mes klubeve për Lautaro Martinezin.
Emri i Lautaro Martinez po përmendet gjithnjë e më shumë në media, sidomos pas ndaljes së futbollit, për shkak të përhapjes me shpejtësi të virusit vdekjeprurës Covid-19.
Madje në Spanjë ditëve të fundit është raportuar për diskutime mes Interit dhe Barcelonës, për transferimin e Lautaros në “Camp Nou”.
Megjithatë mbrëmjen e djeshme ka reaguar edhe klubi zikaltër, që ka theksuar se momentalisht nuk ka asnjë negociatë të hapur me Barcelonën për transferimin e Lautaros dhe ka kërkuar që mediat spanjolle të ndalin aludimet.
“Nuk kemi asnjë negociatë të hapur me Barcelonën për Lautaron, ndaj na vjen keq që mediat spanjolle aludojnë mbi këtë çështje dhe përfshijnë çdo ditë emra të rinj si pjesë të shkëmbimit. Lautaro është e ardhmja jonë, ndaj nuk kemi ndërmend ta lëmë të largohet”, deklaroi Piero Ausilio.
Kjo konfirmoi edhe njëherë dëshirën e zikaltërve për të mbajtur akoma Lautaron në skuadër, por nga ana tjetër dërgoi edhe një mesazh te Barcelona, për t’i bërë të qartë se sulmuesi argjentinas do të largohet vetëm në rast pagese të klauzolës dhe jo në marrëveshje shkëmbimi me lojtarë të tjerë.
Barca dëshiron të përfshijë lojtarë në marrëveshje, por Interi ndoshta do të hiqte dorë vetëm nëse paguhet klauzola, 111 milionë euro.
Lautaro është zhvilluar shumë si lojtar në dy vitet e fundit dhe Barca e sheh si idealin për të zëvendësuar Luis Suarezin, që dita ditës po tregon se nuk ka shumë për të dhënë për katalunasit.