Infektohet me koronavirus mjeku që javën e kaluar u takua me Putinin

17:09 | 31 Mars 2020

Del pozitiv me koronavirus mjeku që javën e kaluar i shtrëngoi duart me Putinin.

Një mjek që e kishte drejtuar presidentin rus, Vladimir Putin, nëpër dhomat e një spitali ku po trajtoheshin pacientët me koronavirus është diagnostikuar edhe vetë si i infektuar me COVID-19.

Denis Protsenko, kryemjek në spitalin “Kommunarka” të Moskës, rezultoi pozitiv në testin për koronavirus të martën, raportoi televizioni shtetëror rus, transmeton lajmi.

Putini u takua me mjekun në fjalë të mërkurën e kaluar gjatë një vizite në spital, gjatë së cilës ai i vizitoi disa dhoma dhe bisedoi me stafin mjekësor e pacientët.

Gjatë vizitës, Protsenko është fotografuar duke i shtrënguar duart me presidentin rus. Mediet bëjnë të ditur se kanë qëndruar bashkë në një ashensor dhe asnjëri prej tyre nuk ka pasur maskë të vendosur gjatë takimit.

Nuk është e qartë nëse mjeku ka qenë i infektuar para se Putini të arrinte për vizitë në spital.

Kremlini tha se të gjithë personat që takohen me presidentin kontrollohen paraprakisht në aspektin shëndetësor.

Komento: