Kampioni botëror në tenis, Novak Gjokoviq, ka dalë pozitiv në testin e koronavirusit.
Gjokoviç tha në një deklaratë më 23 qershor se gruaja e tij gjithashtu kishte dalë pozitive, ndërsa fëmijët e tij negativ.
Ai është shprehur se nuk ka simptoma të sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Njoftimi vjen pasi tre tenistë, Borna Çoriq i Kroacisë, Grigor Dimitrov nga Bullgaria dhe Viktor Troicki i Serbisë u testuan pozitivë, pasi luajtën në një turne me Gjokoviqin javën e kaluar.
Troicki tha se ai dhe gruaja e tij shtatzënë ishin të infektuar.
Duke komentuar mbajtjen e turneut në kohë të pandemisë, Gjokoviq tha se organizimi ka pasur qëllim humanitar.
“Gjithçka e bëmë me një zemër të pastër dhe qëllime të sinqerta. Turneu ynë ishte i një karakteri humanitar me idenë për të ndihmuar tenistët nga rajoni, për t’u siguruar atyre kushte për të luajtur, për të gjeneruar të ardhura dhe në këtë mënyrë më lehtë të kapërcejnë këtë periudhë të vështirë”, tha Gjokoviq në një deklaratë.