Koronavirusi po vazhdon të përhapet në SHBA.
Një punonjës i nënpresidentit amerikan, Mike Pence, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi të premten se një anëtar i ekipit të Pence e ka kontraktuar koronavirusin, por nuk dha më shumë detaje.
Lajmi vjen një ditë pasi shërbëtori personal i presidentit Donald Trump ka dalë po ashtu pozitiv me koronavirus, duke rritur shqetësimet për shëndetin e udhëheqësve amerikanë.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 1.3 milion raste me koronavirus – më së shumti në botë.
Mbi 76,000 njerëz atje kanë humbur jetën.
Shtëpia e Bardhë do ta testojë tani presidentin dhe nënpresidentin në baza ditore dhe jo çdo javë, si deri më tash.