Infermierët po ikin nga Kosova, rreth 6 mijë të papunë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Infermierët po ikin nga Kosova, rreth 6 mijë të papunë

12:01 | 01 Qershor 2019

Rreth 6 mijë infermierë të papunë.

Pamundësia për të gjetur një vend pune, por edhe kushtet jo të mira të punës, duke përfshirë pagat u ulëta dhe beneficionet tjera, kanë shtyrë shumë profesionistë shëndetësorë ta braktisin Kosovën.

Një kategori që po ballafaqohet me këto probleme janë edhe infermierët.

Drejtori i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj, thotë se janë rreth 6 mijë infermierë në nivel vendi që janë të papunë.

Por edhe ata që punojnë, sipas tij, po ballafaqohen me probleme të shumta, andaj kanë zgjedhur ikjen nga Kosova si zgjedhje për të siguruar një jetë të dinjitetshme.

Ai thotë se më Ligjin e ri për Pagat kjo kategori dhe personeli tjetër shëndetësor është diskriminuar, pasi që nuk u kategorizuan sipas meritave.

“5000-6000 infermierë janë të papunë, edhe ka prej tyre që 20-30 vjet, se nuk ka pas një mundësi të tillë, e dini për shkak të numrit të kufizuar të buxhetit. Një numër i madh i infermierëve ikin nga Kosova, kjo është shqetësuese, pikërisht për shkak kushteve të punës, për shkak të një page, të cilën nuk e ka të dinjitetshme, e mos të flas tash kjo paga tani që parashihet prej shtatorit të hynë në fuqi, janë të barazuar të gjithë infermieret pavarësisht a e ka përfunduar Bachelor, Master dhe Magjistraturë janë të barazuar me një shkollim të mesëm”, tha ai, për Ekonomia Online.

Paralajmëron se nëse deri në shtator nuk zgjidhet ky problem, shumica e infermierëve do të ikin nga vendi.

“Apeli im është edhe për qeveritarët të mendojnë deri në shtator, edhe të rregullojnë çështjen e kategorizimit për infermierë dhe personel tjerë shëndetësor, përndryshe shumica e infermierëve ka me na ik nga Kosova”.

Ai thotë se po mundohen të bëjnë maksimumin që si Odë të anëtarësohen në organizata ndërkombëtare në mënyrë që të lehtësohet edhe puna e tyre.

“Tani ai synimi ynë është që të jemi pjesë e ICN, dhe organizatave tjera ndërkombëtare, të botës, dhe Evropës. Tani kemi bashkëpunim shumë të mirë me asociacionit të infermierëve të Sllovenisë, ku ata do të jenë pjesë e organizmave evropian këtë vit, dhe pas këtij bashkëpunimi ne do të jemi pjesë edhe e ICN-it, por edhe organizatave tjera ndërkombëtare”.

Synim tjetër i Odës, sipas tij, është që të njihen të gjitha dokumentacionet e infermierëve, dhe personelit shëndetësor, duke filluar prej licencave, provimeve të ndryshme praktike, etj.

Komento: