Inflacioni në tregun e Kosovës në shkallën 3.4 për qind

12:54 | 15 June 2019

Çmimet e ushqimeve bazë janë rritur dukshëm në Kosovë duke ndikuar edhe në rritjen e produkteve.

Deri para pak ditësh, një qytetar në Prishtinë ka mundur të ushqehet në vlerën e 2 eurove me një sanduiç.

Por, tashmë çmimi i secilit prej tyre në këtë lokal është rritur me 40 cent.

Menaxheri i lokalit tregon se rritja e çmimeve të konsumit bazë në intervale të vazhdueshme kohore ka ndikuar në ngritjen e çmimeve të produkteve finale.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë një inflacion të çmimeve të konsumit prej 3.4 për qind, nga korriku i 2018-ës deri në muajin maj të 2019-ës.

Produktet e prekura më së shumti nga rritja e përnjëhershme e çmimeve janë: perimet me 21 për qind, buka 13 për qind, mishi 4.7 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 3.4 për qind.

Në ASK tregojnë se inflacioni ka rezultuar nga: reshjet atmosferike të 2018-ës, rritja e çmimit të naftës dhe derivateve të saj në bursën ndërkombëtare si dhe vendosja e masës mbrojtëse 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Komento: