Informata për armë ilegale në Leposaviq vë në lëvizje Policinë, kontrolle edhe në Vushtrri, ja çka u gjet

23:40 | 08 Korrik 2026
informata-per-arme-ilegale-ne-leposaviq-ve-ne-levizje-policine,-kontrolle-edhe-ne-vushtrri,-ja-cka-u-gjet

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar informatë për një person që dyshohej se posedonte armë ilegale në Leposaviq, ndërsa gjatë kontrolleve në dy lokacione në këtë komunë dhe një tjetër në Vushtrri janë gjetur dhe sekuestruar disa armë dhe pajisje.

Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Mitrovicë Veri, në koordinim me zyrtarët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prizren, kanë siguruar informacione se një person me inicialet A.A., i lindur në vitin 1997 dhe me vendbanim në Leposaviq, posedonte armë ilegale.

Pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë realizuar kontrolle në dy lokacione në komunën e Leposaviqit dhe një lokacion në komunën e Vushtrrisë.

Gjatë kontrolleve, Policia ka bërë të ditur se janë gjetur dhe sekuestruar:

një flamur me mbishkrimin “Kosovo je Serbia”;

dy bomba tymuese;

një pistoletë me gaz së bashku me një karikator;

një armë të gjatë AK-47;

një karikator i mbushur me 30 fishekë.

Lidhur me rastin, Policia ka njoftuar se për të gjitha veprimet është informuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“I dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe largimin e armëve ilegale nga duart e qytetarëve, ndërsa ka ftuar qytetarët që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192.

Komento: