Inspektimet në treg: Tërhiqen produkte qumështi me yndyrë bimore, kontrollet vazhdojnë në Prishtinë dhe Prizren

22:31 | 10 Gusht 2026

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar inspektimet në treg, në kuadër të kontrolleve për produktet e qumështit dhe produktet e ngjashme me bazë bimore, të cilat Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ditë më parë ka urdhëruar të hiqen nga tregu në Republikën e Kosovës.

Kontrollet janë zhvilluar lidhur me përbërjen dhe deklarimin e produkteve të qumështit dhe produkteve të ngjashme. Në orët e paradites janë realizuar shtatë inspektime në markete të klasit B dhe C në regjionet e Prishtinës dhe Prizrenit.

Gjatë këtyre inspektimeve janë evidentuar disa produkte që përmbajnë yndyrë me bazë bimore. Me urdhër të IQMT-së, këto produkte janë larguar nga raftet e shitjes.

Produktet e tërhequra gjatë kontrolleve janë:

Holla Schmand – 400 gram

Holla Cooking Cream – 1 litër

Magic Krem – 800 gram

Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, bazuar në listën e zgjeruar të produkteve të identifikuara nga AUV-i dhe të publikuara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Në listën e produkteve të prodhuara nga kompania Abrazen LLC – Qumështorja Vita, të cilat duhet të tërhiqen menjëherë nga tregu, janë:

Schmand, 18% – 180 g

Schmand, 18% – 800 g

Schmand, 18% – 400 g

Holla Dessert – 1L

Holla Barista, 3.8% – 1L

Graden Milk – 1L

Holla Cooking Cream – 1L

Mushroom Cream Cheese – 200 g

Qumësht “My Cow”, 3.2% – 1L

Qumësht UHT “My Cow”, 3.2% – 1L

Qumësht UHT “Land”, 3.2%

Djathë i bardhë 100% – 250 g

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se, në baza ditore dhe në bazë të raporteve të pranuara nga inspektorët e IQMT-së, do ta njoftojë opinionin publik për produktet që janë larguar nga tregu.

Qëllimi i këtyre masave është parandalimi i mashtrimit të mëtejshëm të konsumatorëve dhe sigurimi i zbatimit të legjislacionit në fuqi.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë me inspektime dhe kontrolle në treg, me synim sigurimin e respektimit të kërkesave ligjore dhe transparencës së informacionit për konsumatorët.

Institucionet u kanë bërë thirrje gjithashtu kompanive prodhuese që të tërheqin nga tregu produktet e tyre të cilat kanë në përbërje yndyra bimore, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, konsumatorët janë ftuar që, nëse hasin në produktet e lartcekura, të cilat përmbajnë yndyra bimore, t’i raportojnë ato përmes platformës Viber në numrin +383 (0) 46 311-000.

Komento: